Tiranë-Katër të rinj janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi kanë vjedhur banesën e marrë më qira nga tre turke në kryeqytet një shumë parash dhe celularë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Brothers”, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar të vjedhjes.
Si rezultat i operacionit u arrestuan: -S. Z., 20 vjeç dhe O. Z., 18 vjeç të cilët janë vëllezër dhe Xh. S., 20 vjeç dhe S. S., 18 vjeç edhe këta janë vëllezër me njëri-tjetrin.
Në pranga u vendos dhe njëra nga turket pasi posedonte një sasi lënde narkotike kanabis që u gjet në këtë banesë, ndërsa janë vënë nën hetim 2 të tjera, për moskallëzim krimi.
Policia ka sekuestruar 3350 euro, lëndë narkotike, një armë e ftohtë, automjeti i përdorur gjatë vjedhjes dhe 4 celularë.
‘Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur me dhunë një shumë parash dhe 2 celularë, në banesën e marrë me qira nga 3 shtetaset turke. Në vijim të veprimeve u bë dhe arrestimi i shtetases turke M. M., 24 vjeçe, pasi gjatë kontrollit të banesën e marrë me qira, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike kanabis. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë 2 shtetaset e tjera turke, për moskallëzim krimi’, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente
