Tiranë - Dy persona janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur kasafortën me 15 mijë euro në shtëpinë e një mjeku në rrugën “Muhamet Gjollesha” një ditë më parë.
Siç shihet edhe nga pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë, Arbnor Xhimaj dhe Lejdjan Gjoka të veshur me të zeza dhe kapele në kokë, pasi kanë marrë kasafortën me lek nga shtëpia e mjekut, duke përdorur ashensorin e nxjerrin jashtë dhe e fusin në bagazhin e makinës.
Sipas njoftimit të bluve dy të arrestuarit rezultojnë të dënuar më parë për vjedhje. Madje njëri prej tyre (Arbnor Xhimaj) ndodhej me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për këtë vepër penale.
Automjeti i dyshuar i përdorur nga dy autorët, për të realizuar vjedhjen u sekuestrua si provë materiale.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas kallëzimit nga një shtetas, se i kishin vjedhur kasafortën me një shumë parash, në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Reagimi", për zbardhjen e rastit.
Si rezultat i operacionit u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
A. Xh., 40 vjeç dhe L. Gj., 38 vjeç, të dy banues në Vlorë, të dënuar më parë për vjedhje. Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. Xh. ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”.
Nga hetimet e kryera gjatë operacionit dyshohet se këta shtetas, më datë 02.06.2025, kanë vjedhur një kasafortë me 15 000 euro, në një banesë në rrugën “Muhamet Gjollesha”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Komente
