TIRANË-Një 46- vjeçar është arrestuar nga policia, pasi i vodhi një tregtareje të një pike shumice çantën me 47 milionë lekë të vjetra, përfshirë lekë, euro dhe dollarë.
Gurjan Trajani (Mitro), më herët ishte dënuar për vjedhje, ndërsa zakonin e vjetër këtë herë mendoi të vijonte në makinën e një gruaje, tregtare e një pike shumice në zonën e “5 Majit”. Pasi e ruajti për një kohë të caktuar dhe u bind që brenda makinës kishte para që rridhnin nga biznesi i gruas, vodhi çantën.
Pas denoncimit, agjentët e Komisariatit nr. 4 në Tiranë organizuan operacionin “Përsëritësi” dhe identifikuan përmes kamerave të sigurisë të riun dhe e lokalizuan në banesën e tij, vend ku u gjetën edhe paratë.
'Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në automjetin e shtetases B.L, i parkuar në zonën e Medresesë, kishin vjedhur çantën brenda së cilës kishte një shumë të konsiderueshme parash(rreth 47 milion lekë, një pjesë në euro dhe dollarë), kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit', njoftoi sot policia.
Gjatë dëshmisë tregtarja ka thënë se paratë ishin të ardhura nga biznesi i saj. Kamerat e sigurisë filmuan momentin kur autori del me çantën në krah nga një godinë. Më pas ka marrë lekët nga çanta dhe e ka hedhur këtë të fundit diku në një cep.
Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur qesja me lekë që ky person kishte vjedhur në automjetin e parkuar dhe më pas i është sekuestruar.
46- vjeçari akuzohet sërish për vjedhje dhe pritet të dalë para gjykatës për masë sigurie.
Komente
