Tiranë- Një 28-vjeçar i cili vodhi një makinë në zonën e Astirit në Tiranë është vendosur në pranga. Në njoftimin zyrtar blutë informojnë se 28-vjeçari u kap në flagrancë një natë më parë (17 korrik) teksa po largohej me automjetin, në drejtim të bulevardit “Bajram Curri”.
Automjeti i vjedhur u sekuestrua si provë materiale. Nga pamjet e siguruara shihet se si i riu hyn qetësisht te parkimi, merr makinën dhe largohet.
“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve, bazuar dhe në kallëzimin e një shtetaseje, për vjedhjen e automjetit të saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Short time”.
Si rezultat i këtij operacioni u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas, më datë 17.07.2025, dyshohet se ka vjedhur në Astir, një automjet të parkuar dhe është larguar me të në drejtim të bulevardit “Bajram Curri”. Në momentin e lokalizimit nga Policia, ai nuk është bindur urdhrit për ndalim dhe ka tentuar të largohet, por është ndaluar nga punonjësit e Policisë”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente
