Kronikë

Tiranë/ Zbulohen 2 fabrika veshjesh me marka luksoze të falsifikuara! 5 në pranga, mes tyre ish-kandidati për deputet i PD (VIDEO+FOTO)

3 Qershor, 09:27| Përditesimi: 3 Qershor, 16:21

  • Share

TIRANË- Dy fabrikave të prodhimit të veshjeve me marka ndërkombëtare të falsifikuara në fshatin Brar të Tiranës në rrugën e Arbrit, janë zbuluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar.  Në to, magazinoheshin në sasi të mëdha veshje të cilat vinin kontrabandë, kryesisht nga Turqia. Më tej gra të punësuara në mënyrë të paligjshme dhe të padeklaruara, printonin përmes makinerive logo të markave të famshme shumë të ngjashme me origjinalin dhe i stamponin në veshje, me marka që nga: Hugo Boss, Calvin Clain, Nike, Jordan, Tommy Hilfiger, Balenciaga, Valentino Dolce Gabana, Prada, Emporio Armani, Philip Plein e deri te Moncler, Adidas e Reebok.

 Veshjet false që prodhoheshin në këto fabrika, më tej dilnin në treg si të ishin origjinale duke mashtruar konsumatorët në shuma të konsiderueshme. Është ende e paqartë nëse ky grup ka treguar veshje false vetëm në Shqipëri, apo edhe më gjerë në rajon, marrë shkas edhe nga përmasat e aktivitetit të paligjshëm.

Koka e grupit që koordinonte këtë skemë dyshohet të jetë turku Ozkan Sulun, i cili u arrestua. Ai dyshohet se merrte përsipër futjen në Shqipëri të mallrave kontrabandë. Për këtë, hetimet janë zgjeruar edhe në zbulimin e bashkëpunëtorëve që mund të ketë pasur në pikat kufitare të vendit.

Secila nga fabrikat, kishte nga 2 bashkë admnistrator. Në operacionin e koduar “Fake Star 5”, policia arrestoi Luan Hakën, dhe shpalli në kërkim djalin e tij Lindion Haka bashkë-administrator të njërës fabrikë të veshjeve të falsifikuara.

Luan Haka, në zgjedhjet e kaluara parlamentare ka qenë kandidat për deputet, nën logon e Partisë Demokratike dhe një vit më vonë në 2022-shin, kandidat në zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak të Dibrës.

Administratorët e fabrikës tjetër, ranë të dy në pranga Ali Bushati dhe Xhuljo Lecaj. Ata akuzohen për disa vepra penale, nga shkelja e të drejtave të pronësisë industriale, punësimi i paligjshëm, kontrabandë me mallra, fshehje e të ardhurave e deri te falsifikimi i stampave.

Po ashtu, Antikrimi ekonomik arrestoi edhe qiradhënësin e godinave në fshatin në periferi të Tiranës, Arjan Hida, pasi dyshohet se ka pasur dijeni për ushtrimin e këtij aktiviteti kriminal dhe nuk e ka kallëzuar atë. Në gjendje të lirë po hetohen gjithashtu 4 punonjës që punonin totalisht në të zezë.

Dy fabrikat kishin të gjitha pajisjet dhe makineritë si për të prodhuar veshjet, edhe për t’i vendosur stampa false të markave të njohura.

Policia sekuestroi sasi të mëdha veshjesh, dhjetëra makina qepjeje, printimi ose stampimi, logo të markave të njohura ndërkombëtare, 6 dokumente turkut në kërkim, një shumë lekësh, njësi kompjuterike, 1 celular, si dhe sende e dokumente të tjera.

Falsifikimi i firmave të njohura ndërkombëtarisht është një problem me të cilin konsumatorët shqiptarë përballen çdo ditë. Ky fenomen ka tërhequr edhe vëmendjen e qeverisë, e cila synon që shitja e veshjeve apo mallrave të imituara si të ishin firmato të ndalohet dhe dënohet. Një pr.ligj për “Markat Tregtare’, i depozituar në kuvend prej muajit shkurt parashikon që pronarët e markave të regjistruara të kenë të drejtë të padisin imituesit dhe të kërkojnë sekuestrimin e mallrave, si dhe dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga përdorimi i paautorizuar i logos së tyre.

Edhe goditja në dy fabrikat e markave false në fshatin Brar të Tiranës u bë përmes një informacioni denoncues të mbërritur në polici.

Vetëm vitin e shkuar 2.677 biznese të huaja aplikuan pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale për të regjistruar markën e tyre në Shqipëri, si dhe janë bërë 730 aplikime për të mbrojtur patentat e tyre po në vendin tonë. Edhe shqiptarët po ndërgjegjësohen për rëndësinë e këtij procesi. Vetëm vitin e kaluar 1575 biznese vendase aplikuan për të regjistruar markën vjet dhe 12 të tjerë kërkuan të regjistrojnë patentën që kishin krijuar.

Të arrestuar
Luan Haka
Ali Bushati
Xhuljo Lecaj
Arjan Hida
Ozkan Sulun
Në kërkim
Lindion Haka

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, operacioni policor i koduar “Fake Star 5”. Zbulohen në Rrugën e Arbërit, 2 magazina ku stampoheshin veshje të kontrabanduara, me logo false. Arrestohen 4 shtetas të implikuar në këto veprimtari kriminale. Shpallen në kërkim 2, njëri prej tyre shtetas turk. Procedohen në gjendje të lirë 4 punonjës.

Sekuestrohen sasi të mëdha veshjesh, dhjetëra makineri qepjeje, printimi ose stampimi, logo të markave të njohura ndërkombëtare, 6 dokumente të shtetasit turk, një shumë lekësh, njësi kompjuterike, 1 celular, si dhe sende/dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Si rezultat i administrimit të inteligjencës policore, të siguruar në vijim të punës kundër kontrabandës dhe krimeve të tjera ekonomiko-financiare, se në Rrugën e Arbërit, në fshatin Brrar, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar finalizoi operacionin “Fake Star 5”.

Gjatë operacionit:
-u arrestua shtetasi L. H. dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi L. H., bashkadministratorë të njërës prej magazinave;
-u arrestuan shtetasit A. B. dhe Xh. L., bashkadministratorë të magazinës tjetër;
-u arrestua shtetasi A. H., qiradhënës i pronave;
-u shpall në kërkim shtetasi turk O. S., i cili koordinonte realizimin e këtyre veprimtarive kriminale;
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit R. Gj., Z. H., Sh. M. dhe A. H., punonjës në këto magazina.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, u konstatua se 2 magazinat ishin të pajisura me linja makinerish për qepje, printim dhe stampim me logo false, të markave të njohura ndërkombëtare, të veshjeve dhe aksesorëve të dyshuar të kontrabanduar.

Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Ora 11:33
FOTOT/ Falsifikonte markat firmato të veshjeve, në pranga Luan Haka, ish-kandidat për deputet i PD në 2021! Garoi edhe për kryetar bashkie në Dibër! Djali në kërkim

Luan Haka

Shqiptarja.com mëson detaje të reja nga operacioni që zbuloi dy fabrika të mëdha me veshje kontrabandë të cilat më pas falsifikoheshin me marka luksi fake.

Një prej personave i përfshirë në këtë grup është edhe Luan Haka, kandidat për deputet i Partisë Demokratike në vitin 2021. Po ashtu, Haka ka kandiduar si kryetar bashkie në Dibër në zgjedhjet e pjesshme lokale të vitit 2022.

Haka është arrestuar, si një prej administratorëve të fabrikave, ndërsa djali i tij Lindion është shpallur në kërkim.

Luan Haka
Luan Haka me djalin
Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?