TIRANË-Prej 8 ditësh Ylli Dalipi është në kërkim të djalit të tij 11 vjeçar që është larguar nga shtëpia. Për Yllin, kjo nuk është hera e pare që gjendet para kësaj situate, në pritje të një lajmi për gjetjen e djalit, pasi ky i fundit është larguar dhe më pare nga banesa për tu kthyer sërish.
I mituri ka humbur kontaktet me familjen pasditen e 28 korrikut teksa sapo kishte dale nga mjediset e një organizate që ofronte ndihmë dhe shërbime për komunitetin rom nga ka dhe prejardhjen familja Dalipi.
Me shpresën se djali do të kthehej Ylli Dalipi do të priste të kalonin 5 ditë për t’u drejtuar në polici ku do të referonte atë se çfarë kishte ndodhur.
Burime nga policia bëjnë me dije se 11-vjeçari është një rast i përsëritur largimi nga shtëpia duke shtuar se dhe këtë here ai ka ikur i shoqëruar nga një person tjetër po i komunitetit rom që banon në zonën e Kombinatit.
Këtë fakt e pohon edhe babai i djalit, në një komunikim telefonik për Report TV ai tregon se ka marrë shumë mesazhe që i mituri shoqërohet nga një person i quajtur Fabi për të cilin shprehet se nuk e njeh.
Sakaq ai shton se dhe më herët djali i tij 11-vjeçar është larguar nga banesa, kur rasti më i fundit ka qenë para 1 viti.
“Pas 5 ditëve kam shkuar për të bërë denoncimin. E kam vonuar denoncimin pasi mendova se po kthehet djali vetë në shtëpi. Është larguar dhe para një viti djali, ka qëndruar 2 ditë, ka shkuar drejt Beratit por nuk ka qëndruar sa po rri kësaj radhe. Më kanë thënë se djali shoqërohet nga një i ri që qëndron në kombinat, e kanë parë 2-3 veta, e kanë parë edhe në Laprakë edhe tek blloku. Ky djali quhet Fabi, unë kam gjetur një person të afër të atij, e kam pyetur ku ndodhet ky Fabi dhe më kanë thënë që edhe ai është larguar nga shtëpia. Tani unë kam dyshime se ai ma mban djalin për ta përdorur për lypje a për dreq se tjetër s’ka çfarë bën me të”, u shpreh babai i 11-vjeçarit, Ylli Dalipi.
Në fund babi i djalit të mitur, Ylli Dalipi ka një apel drejtuar të gjithë qytetarëve që hasin në rrugë apo kanë informacion për të birin e tij ta referojnë në polici menjëherë që i biri të kthehet sa më pare në shtëpi.