Në prani të dhjetra besimtarëve, në Kishën Orthodhokse Metamorfoza (Shën Sotiri) në Tiranë u mbajt një meshë përshpirtjeje nën drejtimin e At Kristo Sharkos në kujtim të shqiptarëve ortodoksë të Çamërisë që u vranë gjatë genocidit të forcave zerviste më 1944.
Përshpirtja u realizua për Spiro dhe Thoma Çalluka, Gaqo Pasko, Dhimo Kasari, Ilia Nasto, Thimi Gogozoto, Petro Sharra, Ilia Konomi dhe gjithë ortodoksët e tjerë shqiptarë të vrarë nga forcat zerviste gjatë genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
“Shqipëria do të më marrë hakën” ishin fjalët e fundit të avokat Spiro Çallukës, drejtor i arsimit shqip të Paramithisë 80 vjet më parë, kur më 30 qershor 1944 pas disa ditëve torturash, iu nxorrën sytë dhe u tërhoq zvarrë me makinë në qytet deri sa ndërroi jetë.
Më pas, së bashku me shqiptarë të tjerë ortodoksë të Çamërisë u la i varur për tre ditë mes qytetit për të dhënë shembullin se shqiptarët ortodoksë mund të rrinin në shtëpitë e tyre, por do të kishin fat mizor nëse deklaroheshin shqiptarë.