TIRANË- Një zjarr ka rënë në urgjencën e re të QSUT-së orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, 11 shkurt. Report Tv mëson se shkak për flakët është bërë një defekt në bateritë e serverëve, të cilët ndodheshin në katin -1. Kanë qenë forcat zjarrfikëse që kanë vënë flakët në kontroll, ndërsa fatmirësisht asnjë person nuk ka mbetur i lënduar.
Në një deklaratë për mediat, drejtoresha e QSUT, Albana Fico tha se të gjithë pacientët janë evakuuar dhe aktualisht ndodhen në ambiente të tjera të QSUT-së, ku edhe po marrin trajtimin normalisht. Fico siguroi familjarët se asnjë prej pacientëve nuk ka pasur përkeqësim të gjendjes shëndetësore.
"Kemi pacientë të cilët, për sigurie më të lartë i kemi lëvizur brenda QSUT. Nuk ka ndryshim të parametrave të tyre, po trajtohen", tha Fico.
Për shkak të kësaj situate, Ficoi shpjegoi se pas një mbledhje me ministren e Shëndetësisë, është vendosur që të gjitha rastet e urgjencave do të devijojnë për tek spitali i Traumës dhe spitali ‘Shefqet Ndroqi’ ose siç njihet ndryshe Sanatoriumi.
"Menjëherë u bë një mbledhje blic ku u piketuan gjithë hapat e tjerë. Kemi vijuar të ndajmë shërbime urgjence me Traumën dhe Shefqet Ndroqin, do të devijohen urgjencat në këto dy spitale", u shpreh Fico.
Ndërkohë, forcat zjarrfikëse kanë evakuuar edhe personelin, ndërsa nga zjarri nuk raportohet të ketë probleme me pajisjet. Sapo u njoftua për rastin e zjarrit, ka pasur edhe një reagim nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, në të cilin thuhej se menjëherë u morën masat për sigurimin e pacientëve të shtruar.
“Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në katin -1 të godinës së QSUT është raportuar tym. Menjëherë janë marrë masat për sigurimin e pacientëve të shtruar dhe situata u vu nën kontroll në një kohë rekord dhe shkaqet e tymit po hetohen.
Situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe pacientët janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën, falë angazhimit të personelit mjekësor dhe atij zjarrfikës. Çdo gjë është nën kontroll dhe gjendja paraqitet e qetë”, thuhet në reagim.
Urgjenca kishte 1 vit që ishte inauguruar.
Situata vijon të jetë në monitorim të vazhdueshëm dhe pacientët janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën, falë angazhimit të personelit mjekësor dhe atij zjarrfikës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes
Report Tv siguron pamjet e para pak minuta pasi ra zjarri në katin -1 të urgjencës së QSUT-së. Zona është rrethuar me shiritin e verdhë ndërsa të pranishëm ndodhen forca të shumta policie dhe një zjarrfikëse. Alarmi i zjarrit vijon të dëgjohet në sfond, ndërsa jashtë ka dhe familjarë të shqetësuar.
Zjarrfikësit me veshjet e posaçme kanë hyrë në katin e nëndheshëm për të verifikuar gjëndjen.
Drejtoresha e QSUNT Albana Fico ka dhënë një deklaratë për mediat pas zjarrit që ra në katin -1. Fico tha në një deklaratë për mediat se nuk ka asnjë të lënduar dhe se të gjithë pacientët janë zhvendosur në ambiente të tjera të QSUT dhe po vazhdohet normalisht me trajtimin e tyre.
"Të gjithë pacientët në katin e sipërm që i takon edhe urgjencës, janë të sistemuar dhe ndiqen nga trupa urgjencës dhe shërbimet përkatëse pranë QSUT. S’ka pasur asnjë humbje jete dhe asnjë lloj përkeqësimi. Ka akoma një sinjal teknik alarmi që tregon se kjo ndërtesë ka elementë të lartë sigurie që bën të mundur që pacientët të jenë të sigurt.
Ka qenë një defekt në një dhomë teknike që po monitorohet. Grupi teknik së bashku me mirëmbajtjen e QSUT ka në kontroll çdo lloj elementi. Është një dëm i kufizuar në vetëm një dhomë teknike. S’ka prekur asgjë tjetër. Ka probleme në pajisjet e imazherisë? Jo, absolutisht jo", tha Fico.
Fico thotë se të gjitha rastet e urgjencës do të trajtohen nga Trauma dhe Shefqet Ndroqi.
"Spitali qendror trajton rastet më të rënda. Shërbimet kanë marrë masat e tyre. Kemi pacientë të cilët, për sigurie më të lartë i kemi lëvizur brenda QSUT. Nuk ka ndryshim të parametrave të tyre, po trajtohen. Të mos harrojmë që QSUT ka planin e emergjencës. Gjëja më kryesore menjëherë pas adresimit të momentit të parë, ka qenë edhe riorganizmi. Menjëherë u bë një mbledhje blic ku u piketuan gjithë hapat e tjerë. Kemi vijuar të ndajmë shërbime urgjence me Traumën dhe Shefqet Ndroqin, do të devijohen urgjencat në këto dy spitale", u shpreh Fico.
Vetë stafi i spitalit ka evidentuar së pari flakët.
"Kanë qenë njerëzit tanë të monitorimit", vijoi Fico.