Opinion

Tito-Stalin dhe Berisha-Basha

4 Nëntor 2021, 11:28| Përditesimi: 4 Nëntor 2021, 11:30

  • Share

E di se çdo krahasim çalon…aksiomë e njohur tashmë.

Sidoqoftë, ngaqë kam një tendencë për t’ i parë e lidhur ngjarjet aktuale me evente, procese e fenome që kane ndodhur dikur në histori (në atë të larget apo të afërt qoftë) them se çarja apo konflikti Tito-Stalin, shpërthyer në 1948, ka diçka të përbashket me atë që po ndodh sot mes Berishës dhe Bashës.

Nga të dy krahët vërej se ka tendenca për t’a “derrmuar” kundërshtarin, përveç daljeve publike të dy mbartësve të konfliktit (edhe pse në një raport thuajse të zhdrejte në tone e aktivitet), duke aktivizuar skaljone mediatike, rrjete sociale etj., për të përbaltur, tallur e intimiduar përkrahesit me zëfortë të të dy krahëve, deri në linçim publik.

Kështu bëri dikur Stalini dhe Beria duke urdhëruar vartësit në ish-kampin Socialist të diskretitonin (shoqëruar padyshim me tortura, burgosje, vrasje, eliminime) “titistët” në radhët e partive të tyre, ku u gjendën disa figura me shumë peshë (Rajku në Hungari dhe Xoxe në Shqipëri u kthyen në simbolin më ekzemplar të këtyre goditjeve) per t’i bërë përgjegjës të të gjitha dështimeve e krimeve të kryera deri në atë kohë “me konsensus” dhe nën frymë revolucionare, me bekimin dhe orientimin e Stalinit.

Nga ana tjeter jo pak vuajtën burgjeve ish-jugosllave (më simboliku mbetet Goli Otok në ishujt adriatikë kroatë) ata që Tito, Kardelj dhe Ranković me shoke i goditën shpejt dhe me dorë të hekurt e që në opinionon publik të kohes atje, njiheshin me përbuzje si “ibeovci” dmth informbyroistë, ose si staliniste.

Si Tito, si Stalini në fund vdiqën si mbretër, me nderime e pa i hyrë një gjemb në këmbë dhe pas tyre, me urdhër të tyre numëroheshin qindra-mijëra viktima e vite vuajtjesh në burg, të cilave iu shtuan pikërisht edhe viktimat “extra” të përplasjes mes tyre.

Të dy palët në atë kohe tundnin flamurin e parimeve si udhëheqës të vendimeve të tyre, ndërsa nga brenda vlonte thjesht urrejtja dhe përpjekja për ta dominuar e shkatërruar tjetrin, për të vendosur në vend “nderin” brenda familjes politike.

Pati dhe një periudhe “pajtimi” duke ia nisur nga viti 1955, por vetëm kur njëri nga protagonistët e sherrit, Stalini, tashmë kishte vdekur.

Më vonë u zbuluan edhe plane konkrete (të mbetura në tentativë) për eliminim fizik të Titos nga Stalini. Nga të dy krahët, idhtarët e tyre betoheshin se “nëse braktisej rruga e tyre, do të bëhej kiameti, do kishte tërmet”, por asgje nuk ndodhi.

Sekush (dmth ish-Jugosllavia dhe ish-BRSS) vijuan edhe më tej rrugën e tyre në shinat e ideologjise dhe perceptimit të vet të zhvillimit shtetëror, ekonomik e politik (por edhe partiak).

Po sot?! – pohova më lart se çdo krahasim çalon, por dicka mbetet: p.sh. fakti se ka idhtarë në të dy krahët që përbetohen se nëse ndodh kështu apo ashtu, unë largohem, iki, shoh jetën time!

Ose ideja se “pajtimi” mund të vijë tashmë, vetem nëse dikush prej të dyve largohet (jo fizikisht nga kjo bote si Stalini dikur, por hap krahun politikisht) .

Ose dhe konstatimi se në rast se njera palë humbet, tjetra “shkërmoqet”, për të s’ ka më vend.

Sepse në fund të historisë vërtitet si opsion më i mundshem e në dukje i parashkruar, ajo që gjithnjë ka qenë strumbullari, shkaku dhe pasoja e shumë akteve politike e që emrin e ka marrë nga sfera religjoze, kur shumë shekuj më parë ravijëzohej më qarte e ndahej në mes kristianizmi: skizma apo shizma, quajeni si të doni.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?