‘Titullarët e disa ambasadave po pengojnë punën e agjentëve tanë’/ Relacioni sekret për Hysni Kapon

11 Gusht 2022, 07:39| Përditesimi: 11 Gusht 2022, 08:01

  • Share

Publikohen disa dokumente arkivore me siglën “Sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1972, ku ndodhet një dosje me raporte, letra, informacione, udhëzime, relacione, shënime, etj., ndërmjet Drejtorisë së Zbulimit Politik e atashuar pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me mosmarrëveshjet, kontradiktat dhe konfliktet e vazhdueshme, të disa prej rezidentëve të Zbulimit Politik Shqiptar, të cilët ishin kamufluar si diplomatë pranë të gjitha përfaqësive diplomatike shqiptare, të akredituara në vende të ndryshme të botës, me ambasadorët dhe titullarët kryesorë të atyre përfa

qësive. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një raport-informacion i Drejtorit të Zbulimit Politik Shqiptar, Jonuz Mersini, i cili mban datën 8.5.1972, drejtuar Komitetit Qendror të PPSh-së, ku ai informon udhëheqjen e lartë, lidhur me kontradiktat dhe konfliktet e vazhdueshme që kishin ndodhur në ambasadat shqiptare në Kajro, Budapest dhe Sofie, ndërmjet rezidentëve të Zbulimit Politik dhe titullarëve të atyre përfaqësive diplomatike, gjë e cila ishte bërë pengesë në realizimin e punës së tyre agjenturiale. Në dokumentin në fjalë, Drejtori Zbulimit Politik, Jonuz Mersini, midis të tjerash shkruan: Shfaqje të tilla në forma më të zbutura, ka dhe midis shokëve, Niko Dodbiba dhe Luan Gjonçaj, në Sofje. Shoku Niko, i raporton me anë të një letre Nestit, ku i thotë se është i detyruar që të kufizojë lëvizjet jashtë Sofjes pasi, nuk ka dieta, si dhe limitin për karburantin e makinave, e ka të kufizuar, etj.

Dokumenti sekret i hartuar nga Drejtori i Zbulimit Politik pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, Jonuz Mersni, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së dhe personalisht Hysni Kapos, lidhur me konfliktet që ekzistonin në disa përfaqësi diplomatike shqiptare, si në Kajro, Budapest e Sofje, ndërmjet rezidentëve të Zbulimit dhe titullarëve të ambasadës

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË                                            SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                     Ekzemplar nr. 2

 DREJTORIA E ZBULIMIT                                                          E përkohshme 2 vjet   

 Nr. 242                                

Tiranë më 8.5.1972

                                                        I N F O R M A C I O N

 MBI DISA KONSTATIME NË MARRËDHËNIET MIDIS TITULLARËVE TË PËRFAQËSIVE DIPLOMATIKE DHE REZIDENTËVE

 Në mbledhjen që u organizua në 21 dhe 22 Prill 1972 me rezidentët, për të shqyrtuar ngjarjen e jashtëzakonshme dhe shkaqet që çuan në dështimin e punës të dy zbuluesve tanë në Kajro, midis të tjerave në diskutimet e përgjithshme si dhe në takimet e veçuara me rezidentët, u ngritën dhe disa çështje në marrëdhëniet midis titullarëve dhe rezidentëve.

Nga bisedimet doli se orientimet e dhëna në seminarin e Durrësit në Nëntor të 1971, janë kuptuar drejt si nga titullarët e përfaqësive tona diplomatike, ashtu dhe nga rezidentët dhe zbulesat. Marrëdhëniet mes tyre, janë vënë në baza të shëndosha dhe të një mirëkuptimi reciprok.

Titullarët në përgjithësi vlerësojnë drejt, punën e zbuluesve dhe mundësisht të ndihmojnë dhe kontrollojnë në këtë drejtim. Edhe nga ana e rezidentëve, ka një predispozitë të mirë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi.

Por, megjithëse të shkëputura dhe të një rëndësie të dorës së dytë, konstatohen akoma raste të një qëndrimi jo të drejtë, që e kanë shkakun në paqartësi të dyanshme, dhe sidomos tek titullarët që, janë shokë të rinj dhe pa eksperiencë në punën e Zbulimit.

Këto raste konsistojnë më tepër, në kufizimet që u vihen zbuluesve në lëvizje, në moskrijimin e kushteve për mbajtjen e kontakteve me miqtë jashtë ambasadës, në kufizimet e tyre për të marrë pjesë në takime e pritje me diplomatët e huaj, etj.

Në disa vende, ka akoma raste që rezidentët nuk njihen me informacionet që grumbullohen në përfaqësi nga burime apo shokë të ndryshëm, dhe që kjo gjë bëhet rastësisht. Nganjëherë u krijohen pengesa rezidentëve dhe zbuluesve për përdorimin e automjeteve të përfaqësisë për punë.

Duhet të ushtrohet më tepër e drejta e titullarëve, për të kërkuar llogari, duke respektuar edhe përgjegjësinë që kanë ata në këtë sektor. Ka raste që për punët e zbulimit, bisedohet në ambientet e përfaqësisë, pa pasur parasysh mbajtjen dhe ruajtjen e sekretit.

Për këtë problem, u bisedua me rezidentët dhe kemi bindjen se ata do t’i zgjidhin drejt këto punë, në bashkëpunim dhe me titullarët ashtu edhe me përgjegjësit e organizatës bazë të partisë, duke ruajtur gjithmonë sekretin e punës.

Probleme që kërkojnë ndërhyrje, janë marrëdhëniet midis shokëve Nexhmedin Luari dhe Ylber Laknori, në Budapest, si dhe deri diku ato midis shokëve: Niko Dodbiba e Luan Gjonçaj në Sofje.

1 – Për shokun Nexhmedin Luari, shoku Ylber Laknori, ngre këto çështje: Që prej kohës që janë kthyer nga seminari i një viti më parë e në vazhdim, Nexhmedini e ka vënë Ylberin në një regjim shumë të kufizuar.

Me gjithë kërkesat e tij për të dalë nga ambasada ai, ka 6 muaj që nuk ka dalë jashtë Budapestit. Edhe lëvizjet brenda Budapestit, ja ka kushtëzuar dhe se ato mund t’i kryejë vetëm në praninë e shokut Dhimitër Stamo. Ndërsa nuk duhet të dali shumë me atasheun tregtar, pasi sipas tij, ky “nuk është serioz dhe vepron si i papjekur”!

Ka afro 8 muaj, që e ka privuar nga pritjet që bëhen nëpër ambasadat e tjera me përfaqësuesit e trupit të huaj diplomatik. Nuk e ndihmon që të zgjerojë miqësinë me personalitete të tjera dhe rasti më flagrant është ai i një gazetari jugosllav që, vetë Ylberi kishte krijuar miqësi me të dhe e mbante në lidhje dhe me Nexhmedinin.

Por tani Nexhmedini, e takon vetë gazetarin jugosllav, duke anashkaluar Ylberin, si dhe duke marrë me vete shokun Dhimitër Stamo. Nuk bashkëpunon me Ylberin si dhe nuk e informon atë për çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen personale të shokëve.

Në të kundërtën, edhe kur Ylberi, e informoi atë duke i thënë se shoferi kishte filluar të pinte dhe se shoku Ferik, humbi një çantë me dokumenta gjatë një kalimi për në Budapest, Nexhmedini, në vend të të merrte masa, ngrihet dhe thotë se kush e ka informuar Ylberin për këto gjëra, dhe se është shqetësuar si komunist e si funksionar i ambasadës.

Duke shfrytëzuar postin e titullarit, Nexhmedini shpeshherë e vë veten në rolin e zbuluesit, dhe futet në disa çështje të ngushta të këtij sektori. Kërkon dhe mban deri edhe pseudonimet e atyre që janë në përpunim agjenturor, hyn në problemet operative duke mos qenë kompetent i tyre, etj.

Gjithashtu tek shoku Nexhmedin, vërehet një frymë mosbesimi ndaj shokut Ylber por, edhe ndaj shokëve të tjerë të ambasadës. Ndodh që për të kontrolluar qëndrimin e shokëve, ai organizon me iniciativën e tij një ndjekje, ku p.sh., për të kontrolluar shoferin, ngarkoi shifrantin.

Të gjitha këto raste vetë vetiu, kanë çuar në fërkime dhe këta shokë janë porositur që këto probleme, t’i zgjidhin vetë, me anë të diskutimeve në organizatën bazë të Partisë.

2 – Shfaqje të tilla në forma më të zbutura, ka dhe midis shokëve, Niko Dodbiba dhe Luan Gjonçaj, në Sofje. Shoku Niko, i raporton me anë të një letre Nestit, ku i thotë se është i detyruar që të kufizojë lëvizjet jashtë Sofjes pasi, nuk ka dieta, si dhe limitin për karburantin e makinave, e ka të kufizuar, etj.

Nga ana e tij shoku Luan, thotë se kohët e fundit, komunikojnë më mire, por ai thekson se, shoku Niko kërkon t’i mbajë nën tutelë, se për informacionet që sigurohen në rrugë të ndryshme operative, ai nuk e vë në dijeni Luanin, ose e informon atë si të gjithë të tjerët, pa u ndalur në një analizë të thellë të këtyre informacioneve.

Gjithashtu shoku Luan, thekson se: një atmosferë jo e mirë ekziston dhe nëpërmjet kolektivit, sidomos grave pasi, Niko ndikohet dhe nga gruaja e tij, etj. Shokët Ylber Laknori dhe Luan Gjonçaj, këto probleme i ngritën në Drejtorinë e Zbulimit Politik ku, mori pjesë dhe shoku Qemal Myrseli.

Ata, u porositën që këto probleme t’i trajtojnë hapur si komunistë në mbledhjen e organizatave bazë të Partisë në këto përfaqësi respektive.

Jemi të mendimit që këto çështje, meqenëse janë në fillimet e tyre, me to të merret ndonjë shok nga aparati i K.Q. të PPSH-së.

            Drejtori i Zbulimit

             (Jonuz Mersini)

Letra me shënimin e sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Hysni Kapo, dërguar Behar Shtyllës, lidhur me konfliktet që kishin ndodhur ndërmjet disa diplomatëve shqiptarë në ambasadën e Budapestit e Sofies

Shënim: Shoku Behar, më duket se shokët përgjegjës në Budapest dhe Sofje, janë bashibozukë. Nuk kanë kuptuar asgjë nga seminari i vitit të kaluar. Nuk janë njerëz politikë, dhe janë të paaftë të punojnë si të tillë. Këta, nuk dinë të punojnë jo vetëm me diplomatët e përfaqësive tona por, as me kolektivin e tyre. Bisedoni me Qemalin dhe Nestin, që të merren sa më shpejt masa ndaj tyre./Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Likja: 11/08/2022 13:35

    Cna duhen gjerat para 50 vitesh kur sot ka shume probleme vrasje vjedhje dhe prokuroria spakut duhet te filloje punen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?