Ashtu si vëllai i tij një ditë më parë, Rexhildo Zeneli, ia ka dalë të fitojë ndeshjen e parë në kampionatin Europian në boks që po zhvillohet në Londër. Boksieri shqiptar ka fituar me vendim unanim ndaj belgut Abdelkarim, duke marrë pikë tepër të rëndësishme për pjesmarrjen në Lojrat Olimpike.
Ndeshja mes Zenelit dhe belgut ishte e vlefshme për kategorinë nga 57-63 kilogramë.
Një ditë më parë ishte vëllai Rexhildos, Krenari, ai që fitoi gjithashtu dyluftimin e tij me kundërshtarin moldav. Edhe për Krenarin pikët ishin të rëndësishme pasi vlejnë për kualifikimin në Lojrat Olimpike, për të cilët Japonia këmbëngul se do të mbahen këtë verë pavarësisht panikut nga pandemia koronavirus.
Rexhinaldo dhe Krenari janë dy vëllezër nga Vlora, të cilët jetën e tyre ia kanë kushtuar boksit.