Një tërmet me magnitudë 5.6 goditi provincën Malatya të Turqisë të hënën, bëri me dije Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave.
Tërmeti ndodhi në një thellësi prej 6,96 kilometrash (4,32 milje) rreth orës 09:00 të mëngjesit me qendër në rrethin Yeşilyurt të qytetit.
Në deklaratën pas tërmetit, kreu i menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave, Yunus Sezer, tha se një person mbeti i vdekur dhe 69 të tjerë u plagosën.
Sipas informacionit paraprak, dhjetëra ndërtesa u shkatërruan në këtë tërmet të fundit dhe ekipet e kërkim-shpëtimit u dërguan në rajon.
“Pas tërmetit me magnitudë 5.6 që ndodhi në rrethin Yeşilyurt të provincës Malatya, u konstatua se dhjetëra ndërtesa janë shembur dhe ekipet tona të kërkim-shpëtimit u dërguan shpejt në rajon dhe filluan të punojnë”, thuhet në njoftim.
Qytetarët që kanë dalë në rrugë menjëherë pas tërmetit janë paralajmëruar që të qëndrojnë larg strukturave të prishura dhe të mos hyjnë në objektet e dëmtuara. Gjithashtu u tha se tërmeti përveç Malatyas është ndjerë edhe në provincat përreth, duke përfshirë Kahramanmaraş, Gaziantep, Adiyaman dhe Şanlıurfa.
Numri i viktimave nga tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë dhe Sirinë më herët gjatë këtij muaji ka kaluar shifrën prej 50.000, mbi 44 mijë persona në Turqi, kurse në Sirinë fqinje, numri i viktimave deri më tani është rreth 6 mijë viktima.
Që prej tërmeteve të 6 shkurtit, sipas agjencisë turke të fatkeqësive natyrore, janë regjistruar afro 10 mijë pasgoditje. Pothuajse 530.000 persona janë evakuuar vetëm nga zonat e prekura nga tërmetet në Turqi. 1.5 milion njerëz kanë mbetur të pastrehë, ndërsa mbi 160.000 ndërtesa me 520.000 apartamente janë shembur ose janë dëmtuar rëndë.