Në "Grykëderdhjen e Matkeqës" brenda zonës së mbrojtur të Kune Vainit për javë me radhë u hodhën interte dhe laguna u tjetërsua. Gjithçka ndodhi mes ditës me diell, por ata që duhet të ruanin perlën e natyrës nuk ishin në lartësinë e detyrës!
Kur skandali u denoncua, prokuroria e Lezhës i vuri para përgjegjësisë. Pjetër Toni, 61 vjeç, drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura u vu në në pranga!
Bashkë me të edhe Armando Lleshaj, specialist i Sektorit të Monitorimit dhe Tom Gjelaj me detyrë roje mjedisore. Pashk Ndoka, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Monitorimit në AdZM Lezhë është në kërkim.
Me kërkesë të prokurorisë, gjykata e Lezhës caktoi për ta masën e sigurisë arrest me burg për “shpërdorim detyre”. Drejtori dhe inspektorët e Zonave të Mbrojtura në Lezhë akuzohen se nuk kanë përmbushur detyrat funksionale të përcaktuara në ligjet dhe aktet nënligjore për funksionet e tyre.
Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kanë sjellë dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune – Vainit.
Operacioni “Tjetërsimi i Lagunës” vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Ndër vite, Laguna e Kune Vainit është ndotur dhe dëmtuar, ndërsa përgjegjesit nuk kanë ndëshkimin për krimet ndaj natyrës.