Aleksandër Laho

Kronikë

Tjetërsimi i 45 mijë m2 tokë te Gjiri i Lalzit/ Apeli ndryshon vendimin e GJKKO, dënon me 3 vite 'Rrumin e Shijakut', përfiton nga gjykimi i shkurtuar

23 Korrik, 12:23| Përditesimi: 23 Korrik, 13:24

  • Share

Apeli i GJKKO ka ndryshuar vendimin e Shkallës së parë dhe ka dënuar me 3 vjet burg Aleksandër Lahon, dënim që zbret në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar lidhur me tjetërsimin e 45 mijë m2 tokë te Gjiri i Lalzit.

Laho, i njohur edhe si "Rrumi i Shijakut", dhe që ndodhet në kërkim prej vitesh, u deklarua fajtor për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Në shkurt, GJKKO e dënoi Lahon me 10 muaj burg. SPAK kishte kërkuar 3 vite heqje lirie, por gjykata e dënoi fillimisht me 1 vit e 3 muaj burg, duke iu ulur një e treta e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Laho akuzohet se i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit. Padia për këtë çështje, u depozitua në organin e akuzës nga Pal Seçuni, që në atë kohë ankohej për vendimet e Hipotekës së Durrësit, për tjetërsimin e pronës. 

Emri i Aleksandër Lahos është përmendur edhe më parë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019. Ai mbeti i plagosur nga plumbat. Në atë kohë, atij iu sekuestrua telefoni, ku u gjet një video në të colën komunikonte me një zyrtar te Avokaturës së Shtetit për rastin korruptiv.

Njoftimi i gjykatës:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar),  më datë 23.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 43 akti, datë 28.05.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimin e paraqitur nga i pandehuri A.L., ndaj vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

- Lënien në fuqi të vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me këtë ndryshim:

- Deklarimin fajtor të të pandehurit A.L. për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 244 dhe 50, shkronja gj) të K.Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

- Në bazë të nenit 406 paragrafi 1 i K.Pr.Penale të pandehurit A.L. i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.

- shpenzimet procedurale edhe në gjykimin në apel i ngarkohen të pandehurit.

U shpall në Tiranë, më 23.07.2025.

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tuku: 23/07/2025 12:56

    Po me dhjetra mijrat e metrave katrore te tjetersuara çfare u be?

    Përgjigju
  • Soni: 23/07/2025 12:46

    Ndaj abuzojn kta se gjith ajo prone per vetëm 3 vjet burg. E ben dhe univesirtetin apo masterin me korrespondence. Prandaj behet pale edhe punonjesi i administrates... Ja kaq e thjesht

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sigurim i detyrueshëm i banesave ose s’merr shërbim nga shteti, si ju duket?