SPAK lëshon urdhër-arrest për Rrumin e Shijakut! I dha avokatit 9 mijë euro për të marrë 45 mijë m2 tokë! Sekuestrohet 403 mijë m2 tokë në Gjirin e Lalëzit

22 Nëntor 2022, 11:19| Përditesimi: 22 Nëntor 2022, 20:53

  • Share

Më kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar firmosi masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, me akuzën e korrupsionit për dosjen e tjetërsimit të pronave në Gjirin e Lalzit. 

Ndërkohë që mbi 400 mijë metrat katrorë tokë në bregdet janë sekuestruar me vendim të GJKKO në Tiranës pasi dyshohet se ‘Rrumi i Shijakut’ kishte falsifikuar dokumente për t’i tjetërsuar pronësinë.  GJKKO bën me dije se bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej rreth 200 000 (dyqind mijë) metra katrorë që gjendet në zonën e quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës si dhe një tjetër sipërfaqe prej 203 100 (dyqind e tre mijë e njëqind) metra katrorë me vendndodhje Shetaj, (Gjiri Lalëz) Durrës.

Në dosjen e hetimeve 2-vjeçare, prokuroria ka prova të forta, siç janë 2 video që u gjetën në telefonin e Rrumit, që mendohet të jenë regjistruar në vitin 2017. Rrumi shfaqet duke bërë pazar dhe duke i dhënë ryshfet përfaqësuesit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, në mënyrë që ky i fundit të tërhiqej nga ankimi i procesit gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.  Ish-avokati i vënë nën hetim ka pranuar para SPAK se ka marrë 9 milionë lekë ryshfet me 2 këste, por pretendoi se kishte qenë i kërcënuar për t’i marrë ato. Madje, kur vendimi mori formë të prerë dhe nuk u bë ankimim, avokati pretendon se Rrumi i ka kërkuar t’i kthejë pas paratë. 

SPAK njofton se është caktuar masa e sigurisë 'arrest shtepie', Irgen Kërçuku, përfaqësues Avokaturës se Shtetit. Sipas SPAK gjatë hetimeve të këtij procedimi penal është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës. 

Ish-avokati i vënë nën hetim dhe i lënë në masë arresti shtëpia nga GJKKO, ka pranuar para SPAK se ka marrë 9 milionë lekë ryshfet me 2 këste, por pretendoi se kishte qenë i kërcënuar për t’i marrë ato. Madje, kur vendimi mori formë të prerë dhe nuk u bë ankimim, avokati pretendon se Rrumi i ka kërkuar t’i kthejë pas paratë. Telefoni i Rrumit ra në duart e Prokurorisë së Posaçme pas atentatit të bujshëm ndaj Aleksandër Lahos dhe prokurorit Arian Ndoja, të cilët udhëtonin në një makinë më 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës. Në këtë atentat Rrumi dhe prokurori u plagosën, ndërsa humbi jetën shoferi Andi Maloku.

1669117731_RUMI.jpg

 

Aleksander Laho 'Rumi i Shijakut'

Ora 15:14
Sekuestrohen 403 mijë m2 tokë në Gjirin e Lalëzit, urdhërarresti për Rrumin e Shijakut, arrest shtëpie për Irgen Kërçukun! Falsifikuan dokumentet për të përfituar tokën në bregdet

Me kërkesë të SPAK, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për Irgen Këçukun, i dyshuar për korrupsion pasiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Ndërkohë është shpallur në kërkim Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si Rrumi i Shijakut, pasi për të është caktuar masa ‘arrest me burg’, i dyshuar për korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Sipas SPAK gjatë hetimeve të këtij procedimi penal është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës. Ndërkohë janë sekuestruar 403 mijë m2 tokë në Gjirin e Lalëzit.

‘Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka në hetim procedimin penal nr.235 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kjo e fundit kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 259, 244, 248, 186, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Në vijim të hetimeve me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. nr.76 datë 20.10.2022 ndërmjet të tjerave ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim I. K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin A.L. (alias P.M.), i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244 dhe 25 i Kodit Penal.

Në datën 22.11.2022, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ekzekutoi masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj I.K., ndërsa vazhdojnë kërkimet me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit A.L. (alias P.M.).

Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.

Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 409 datë 30.10.2021 ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe toke prej rreth 200 000 (dyqind mijë) metra katrorë që gjendet në zonën e quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.

Po ashtu, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, me vendimin nr.497, datë 18.11.2022, ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe prej 203 100 (dyqind e tre mijë e njëqind) metra katrorë me vendndodhje Shetaj, (Gjiri Lalëz) Durrës.

Vazhdojnë hetimet në lidhje me evidentimin e fakteve penale dhe personave të përshirë në këtë aktivitet kriminal.’- njofton SPAK.

Ora 13:02
SPAK lëshoi sot urdhër arresti, kush është ‘Rrumi i Shijakut’? Shpëtoi në atentatin që iu bë prokurorit në 2019! Në shënjestër nga vëllezërit Beqiraj për ta ekzekutuar

1669112238_LANDI.jpg

SPAK ka lëshuar sot urdhër-arrest për Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si ‘Rrumi i Shijakut’. Por, Rrumi është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai rezulton i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit si i dyshuar në pengmarrjen e 2 vëllezërve Beqiraj të cilët dyshohet se janë përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale, përfshi edhe mbajtjen nën vëzhgim të Rrumit.

Nga arrestimi i dy vëllezërve Beqiraj dhe dëshmia e tyre janë zbardhur disa atentate. Vëllezërit Beqiraj kishin planifikuar edhe vrasjen e Rrumit të Shijakut. Edhe pse zyrtarisht policia nuk e ka përfshirë në këto atentate të zbardhura rezulton se vrasja e Manecit ishte një atentat i planifikuar për ekzekutimin e Aleksandër Lahos, apo Rrumi i Shijakut. Por nga ky atentat i 18 majit 2021, mbeti i varë vetëm Manecu, pasi në ato momente Aleksandër Laho nuk ishte më të. Maneci dhe Rrumi i Shijakut prej vitesh ishin miq me njëri-tjetrin.

Po ashtu, Rrumi i Shijakut ka qenë i pranishëm edhe në momentin kur i është bërë atentat prokurorit Arian Ndoja në 1 nëntor të vitit 2021. Ata po udhëtonin në një makinë më 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës. Në këtë atentat Rrumi dhe prokurori u plagosën, ndërsa humbi jetën shoferi Andi Maloku.

Ora 12:43
I dha 9 milionë lekë ryshfet avokatit për të tjetërsuar 45 mijë metra katrorë tokë në Gjirin e Lalzit, si ra SPAK në gjurmët e ‘Rrumit të Shijakut’

1669117728_RUMI.jpg

Më 13 qershor 2017, dy persona u filmuan me një telefon celular teksa po negocionin një çmim për një proces gjyqësor pronësie. Në transkriptet e Prokurorisë së Posaçme, njëri prej personazheve të videos identifikohet si “zyrtari”, ndërsa tjetri si “i interesuari”. Dy burrat debatojnë mbi shumën e parave që nevojiten për të blerë tërheqjen nga apelimi për çështjen gjyqësore. “Zyrtari” është i pakënaqur nga oferta prej 5 milionë lekësh, ndërsa “i interesuari” i reziston kërkesës për të paguar më shumë.

“Unë u thashë… Geni do 5 milionë lekë dhe mbaroi historia këtu, tani do themi nga 5 u bëka 12, duket sikur bëhem unë dallaverexhiu. Të besosh edhe m’u se nuk jam unë i zoti i punës,” thotë ai.

Sipas dokumenteve hetimore të siguruara nga BIRN, biseda në video zhvillohet mes zyrtarit Irgen Kërçuku, asokohe përfaqësues i Avokaturës së Shtetit për degën e Durrësit dhe Pëllumb Muharremit – një personazh i dyshuar për lidhje me krimin e organizuar, i njohur gjithashtu si Aleksandër Laho ose “Rrumi” – një nofkë që simbolizon kallirin e zhveshur të misrit.

Biseda mes tyre e regjistruar në video kishte si objekt procesin gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit. Videoja ra në duart e Prokurorisë së Posaçme pas atentatit të bujshëm ndaj Muharremit dhe prokurorit Arian Ndoja, i ndodhur pasditen e 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës.

Ky nuk është rasti i vetëm i përfshirjes së krimit të organizuar në zhvatjen e pronave. Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes dokumenteve hetimore nga dy procedime penale tregojnë se sekuestrimi i telefonit të Muharremit i mundësoi Prokurorisë së Posaçme hapjen e “kutisë së Pandorës” për njërin prej episodeve më të mëdha të tjetërsimit të pronave publike në bregdetin e Adriatikut.

Përveç tokës me sipërfaqe prej 45 mijë metrash katrorë, Muharremi dyshohet se qëndron edhe pas tjetërsimit të 14 parcelave të tjera në zonën e Gjirit të Lalzit, përmes një skeme masive falsifikimi dhe korruptimi të zyrtarëve publikë.

“Hetimi i deritanishëm ka krijuar dyshime se një grup i mirë strukturuar kriminal ka arritur që përmes një skeme kriminale të bëjë të mundur që të sigurojë një zinxhir dokumentesh të falsifikuara me qëllim që të regjistrojë pasuri të paluajtshme në një zonë shumë të preferuar të Shqipërisë, siç është fshati Lalëz, Durrës,” thuhet në njërin prej dokumenteve hetimore të siguruara nga BIRN.

Pas hetimeve 2-vjeçare, Prokuroria e Posaçme ka zyrtarizuar akuzën ndaj Muharremit për korrupsion aktiv dhe po heton një rreth zyrtarësh publikë për përfshirje në korrupsion dhe shpërndorim detyre me pronat në Gjirin e Lalzit.

Prokurori Altin Dumani që po heton të dyja procedimet e lidhura me Muharremin u rezervua të jepte detaje mbi fazën e hetimeve.

“Çështja është në hetim prej dy vitesh dhe nuk mund të jap asnjë detaj,” tha ai.

Muharremi dhe Kërçuku ishin të paarritshëm për koment edhe përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë.

Zhvatje masive

Gjiri i Lalzit shtrihet në një vijë bregdetare prej 35 kilometrash në bregdetin e Adriatikut, i kufizuar nga Kepi i Rodonit në veri dhe Bishti i Pallës në jug. Afërsia me kryeqytetin – me distancë prej vetëm 36 kilometrash, e ka bërë këtë zonë të lakmuar për ndërtimin e komplekseve turistike rezidenciale dhe vilave të kushtueshme për elitën politike dhe ekonomike të vendit më të varfër të rajonit.

Për shkak të zhvillimit të vrullshëm në vitet e fundit, Gjiri i Lalzit ka ngjallur gjithashtu interesin e krimit të organizuar. Dikur tokë shtetërore me një brez të gjerë pishash buzë detit, kjo pjesë e bregdetit ka prodhuar konflikte të shpeshta pronësie dhe hetime të njëpasnjëshme ndaj zyrtarëve lokalë të hipotekës dhe institucioneve të tjera. Telefoni i Muharremit u sekuestrua në kuadër të hetimeve për zbardhjen e atentatit të ndodhur në vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit” më 1 nëntor 2019, ku humbi jetën Andi Maloku dhe mbijetuan pa dëmtime të rënda ai dhe prokurori Arian Ndoja.

Aparati telefonik iu nënshtrua ekspertimit dy javë pas atentatit, prej nga u përftuan foto, përgjime në video dhe dokumente të ndryshme pronësie – kryesisht në fshatrat e bregdetit të Lalzit. Mbi bazën e këtyre materialeve, SPAK regjistroi procedimin penal nr. 235 në shtator të vitit 2020 për veprat penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “korrupsionit aktiv…”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Katërmbëdhjetë pasuri prej mijëra metrash katrorë tokë në bregdetin e Gjirit të Lalzit u vendosën nën sekuestro, pasi rezultoi se ishin regjistruar në regjistrat kadastralë përmes dokumenteve të falsifikuara. Një vendim i 6 nëntorit 2021 të Gjykatës së Posaçme për lejim kontrolli banesash tregon se SPAK po verifikonte ish-kreun e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës, Bedri Luku për regjistrimin e parcelave të përfituara përmes dokumenteve të falsifikuara. Nën hetim u vendosën gjithashtu gjashtë persona të tjera që kishin kryer transaksione me këto prona, një pjesë e të cilëve lidhje të Muharremit.

“Nga hetimet ka rezultuar se disa nga shtetasit e përfshirë në falsifikimin, regjistrimin apo kanë kryer transaksione me pasuritë në fjalë janë edhe shtetasit Bedri Luku me detyrë ish-regjistrues i ZVRPP Durrës,” citohen dyshimet e SPAK në dokumentin e gjykatës.

Sipas hetimeve, skema kriminale është realizuar përmes ndërhyrjeve falsifikuese në Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi, në ndërhyrjet falsifikuese në Regjistrin e Regjistrimit të Pasurive të Palujtshme apo falsifikimin e komunikimeve shkresore mes Qarkut dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Gjatë hetimit është këqyrur volumi 4 i regjistrit hipotekor që përfshin zonën kadastrale me numër 2375 në Lalëz, nga ku rezultoi se “pasuritë e mësipërme paraqisnin probleme në regjistrimin e tyre”. Prokuroria e Posaçme dyshon se falsifikimet janë mundësuar përmes bashkëpunimit të zyrtarëve në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

“…kanë bërë të mundur që këto pasuri, të cilat duhet të ishin në pronësi të shtetit, të kalojnë në emër të grupit të strukturuar kriminal që fshihet pas këtyre regjistrimeve dhe falsifikimeve,” thuhet në dokument.

Bedri Luku, drejtues i ZVRPP Durrës deri në vitin 2013 mohoi akuzat në një bisedë telefonike me BIRN dhe la të kuptohej se firma e tij ishte falsifikuar.

“Nuk jam thirrur prej një viti nga Prokuroria dhe nuk ka asnjë akuzë të ngritur ndaj meje,” deklaroi ai.

Korrupsion në video

Për vite me radhë, Pëllumb Muharremi alias Aleksandër Laho ishte një person i dyshuar për lidhje me krimin e organizuar, por dëshmia e tij e penalitetit ishte “e pastër”. Në tetor të këtij viti, ai u shpall në kërkim si i dyshuar në pengmarrjen e dy vëllezërve Beqiraj – të cilët dyshohet se janë përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale, përfshi edhe mbajtjen nën vëzhgim të Rrumit. I vendosur në fshatin e Sukthit në periferi të Durrësit, 49-vjeçari dyshohet se kontrollonte një pjesë të territorit strategjik në hyrje të vijës bregdetare të Gjirit të Lalzit.

Emri i tij u lakua për herë të parë publikisht në shtator të vitit 2016, pas dhunës makabre të ushtruar ndaj biznesmenit libanez, Faad Mitri, i cili ndodhej në Shqipëri për të investuar një kompleks turistik në Gjirin e Lalzit. Pas largimit të Mitrit me barrelë nga Shqipëria, hetimet e Prokurorisë për zbardhjen e sulmit ndaj tij u mbyllën pa rezultate domethënëse.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se Muharremi u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme në qershor të këtij viti dhe iu bashkua të dyshuarve të tjerë të dosjes me nr: 235 për falsifikimet në Gjirin e Lalzit. Por përmes një vendimi të datës 6 korrik, prokurori Altin Dumani vendosi të plotësojë akuzën e tij edhe me episodin e videove të regjistruara në vitin 2017.

Sipas vendimit, Muharremi mbante në telefonin e tij dy video që mendohet të jenë regjistruar në vitin 2017, ku ai shfaqet duke bërë pazar dhe duke i dhënë ryshfet përfaqësuesit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, në mënyrë që ky i fundit të tërhiqej nga ankimi i një procesi gjyqësor.

Sipas përshkrimit në transkriptin e videos, përfaqësuesi i interesave të shtetit shkoi në takim për të tërhequr paratë, i veshur me një bluzë në ngjyrë të kaltër dhe pantallona të shkurtra. Ai mbante në dorë një çantë të zezë dhe një paketë të markës “Slims”.

Në videon e sekuestruar si provë nga Prokuroria e Posaçme, Muharremi shfaqet duke i dhënë 6 milionë lekë Kërçukut, ndërsa ky i fundit e pyet: “pjesa tjetër kur do ta sjellësh”.

Muharremi përgjigjet: “kur të marri formë të preme”.

Gjatë një seance pyetjesh me Prokurorinë e Posaçme në cilësinë e personit nën hetim, ish-avokati i Shtetit, Irgen Kërçuku ka pranuar marrjen e ryshfetit prej nëntë milionë lekësh në dy këste nga Rrumi, por pretendoi se kishte qenë i kërcënuar për t’i marrë ato.

Sipas dëshmisë së tij në prokurori, Rrumi e kishte takuar atë, pasi “e kishte rregulluar me hipotekën që nga ana e saj të mos bënte ankim”. Paratë i ishin dhënë në këmbim të mosbërjes së apelimit ndaj një vendimi që Gjykata Administrative e Durrësit pritej të merrte ndaj padisë së bërë nga shtetasi Pal Seçuni për regjistrimin e 45 mijë metrave katrorë tokë në fshatin Draç.

Pal Seçuni është një banor në mesin e të 70-ave nga fshati Draç në afërsi të Gjirit të Lalzit, i cili fitoi përmes një sage gjyqësore pronësinë mbi 45 mijë metra katrorë tokë shtetërore në vitet 2016-2017.

Në tetor 2016, Seçuni paditi në Gjykatën Administrative të Durrësit Zyrën qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë dhe Zyrën lokale të Durrësit, për t’i detyruar ato që të bënin regjistrimin e tokës së ndarë në dy parcela.

Çështja u gjykua nga gjyqtari Ergys Gashi – i dorëhequr më pas gjatë procesit të vetingut, i cili i dha të drejtë Seçunit.

Sipas verifikimeve të SPAK, Kërçuku ia delegoi të drejtën e përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave të shtetit, Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë dhe zyrës lokale të Durrësit. Vendimi mori formë të prerë më 30 qershor 2017, pasi përfaqësuesit e hipotekës nuk bënë ankim në Gjykatën Administrative të Apelit.

Gjatë dëshmisë së tij në Prokurori, Kërçuku tregoi se Rrumi e vizitoi sërish pasi vendimi gjyqësor mori formë të prerë, i shoqëruar nga tre-katër persona të tjerë. Ai pretendoi gjithashtu se u kërcënua dhe iu kërkua që të kthente mbrapsht të gjithë shumën e parave që kishte marrë më parë.

Kërçuku e përfundoi dëshminë e tij me fjalët: “Shkova menjëherë në banesë, mora paratë dhe ia ktheva Rrumit”./BIRN

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 23/11/2022 03:00

    Cfare genjeshtari ky Kercuku! I morra por me detyruan.Rryshfeti nuk eshte ushqim qe te thone provoje dhe haje edhe kur nuk do.Me e lezetshmja eshte pjesa kur pyet se kur do t'ia sjellin dhe pjesen tjeter.Do te kishe qene me i besueshem sikur te kishte thene se //provuan me mua dhe kulacin dhe kerbacin,por kulaci me pelqeu me teper//.Mire qe u gjet celulari dhe videoja ne te dhe e faktuan,se pa to,ky s'kishte per te pranuar asgje.

    Përgjigju
    • Vangjel M: 23/11/2022 07:53

      Ky eshte djali i ish deputetes te partis socialiste doktoreshes ilirjanes

  • Kavaja: 23/11/2022 02:55

    Cam muti

    Përgjigju
  • misri: 22/11/2022 18:58

    o kalli misri te leverdis te arrestojne se je me i sigurt qe do jetosh se sa te rrish jasht si miu i fshehur e te dhjesesh ne breke nga frika per cdo zhurme perqark iku koha e superheronjve qe nuk i kapte plumbi tani kan te gjith sy vesh dge uri per pasuri

    Përgjigju
  • Ermira: 22/11/2022 14:06

    Hiqeni nga qarkullimi kete kriminel dhe vrases, kalbeni brenda. Gjynah qe u nisen per kete e hoqen qafe ate shoferin e shkrete.

    Përgjigju
  • Patok: 22/11/2022 13:02

    Po i vijne verdalle dosjes..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?