TIRANE- Prokuroria e Tiranës po heton një rast të tjetërsimit dhe grabitjes së pronave publike dhe private në Komunën Bërxullë, një nga zonat më të lakmueshme për biznes dhe zhvillim, mes Tiranës dhe Vorës.
Plot 7500 metra katrorë tokë e llojit “arë’ që dikur ka qenë tokë e Bashkisë Vorë, prokuroria thotë se është tjetërsuar në mënyrë të paligjshme dhe më pas i është shitur shoqërisë “Alko Impex Construsion” shpk, e cila ka për administrator Arbër Abazin, nipin e ish-deputetit socialist, Sadri Abazi. Toka është shitur në vlerën 10.000.000 lekë të reja.
Lidhur me këtë tjetërsim prone me kërkesë së Prokurorisë së Tiranës, Gjykata e Tiranës firmosi arrest me burg për 4 ish zyrtarë, mes tyre, ish-kryetarin e Komunës së Bërxullës, Ymer Marku, kryeplakun e fshatit Bërxullë, Agim Loci dhe Kujtim Balliu, specialisti i Z.M.M.T. Gjithashtu është firmosur arresti dhe për përfituesin e pronës, Kujtim Allmeta i cili, më pas e ka shitur tek Alko Impex Construsion” shpk.
Ndaj tre ish zyrtarëve rëndon akuza për “Shpërdorim detyre” ndërsa për Kujtim Allmetën për “Falsifikimi dokumentave”, parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal dhe veprën “Pastrimi i produkteve të veprës penale” e parashikuar nga neni 287 i K.Penal.
Prokuroria kërkon dhe vendosjen e sekuestros mbi këtë pronë.
Ymer Marku ka qenë nga viti 2004 - Gusht deri në vitin 2015, në krye të komunës Bërxullë, sot Njësi Administrative e Vorës. Ndërkohë në shkurt 2022 u propozua nga baza e Partisë Demokratike në Vorë për kandidat në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit 2022.
Report Tv mëson se deri tani janë ekzekutuar 3 urdhërarreste por nuk dihen ende konkretisht se ndaj kujt.
Skema si u tjetërsuan 7500 metra katrore toke
Prokuroria e Tiranës ka zbardhur skemën.
“Nga hetimi rezultoi se plani i rivelimit për pasurinë me sip 7.500 m2 shkoi në favor të shtetasit Kujtim Allmeta (nënshkruar/firmosur) nga Kryeplaku i Fshatit Bërxullë shtetasi , Agim Loci dhe Kryetari i Komunës Ymer Marku në një kohë kur tokat në kodër Bërxullë kanë qënë toka të Bashkisë Vorë dhe në vitin 1998 kanë kaluar në administrim të ish-Komunës Bërxull.
Personi nën hetim shtetasi Shtetasi Ymer Marku nga viti viti 2004 - Gusht deri në vitin 2015, ka qënë me detyrë Kryetar i Komunës Bërxull, Tiranë. Me shkresën me nr.1021 prot, dt. 13.07.2005, ai ka dërguar për verifikim në Këshillin e Qarkut Tiranë, dokumentacionin për shtetasit A.A., P.A. dhe Sh.A. Në cilësinë e Kryetarit të Komunës Bërxullë së bashku me kryeplakun e fshatit shtetasin Agim Loci kanë nënshkruar në plan rilevimin për pasuritë e këtyre shtetasve.
Ndërsa me shkresën me nr.576 Prot, datë 12.05.2015 me lëndë “Dërgim dokumentacioni për rregjistrim” është formuluar/konceptuar nga specialisti i Z.M.M.T, shtetasi Kujtim Balliu dhe konfirmuar (firmosur) nga kryetari i Komunës shtetasi Ymer Marku për të njëjtën pasuri në emër të shtetasit Kujtim Allmeta (ndryshe nga sa kishte vepruar një vit më parë për të njëjtën pasuri).
Personi nën hetim shtetasi Kujtim Balliu i cili nga muaji Korrik 2011- Shtator të vitit 2015, ka qënë me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Komunës Bërxullë, Tiranë ka përpiluar shkresat për dërgimin për regjistrim bashkëlidhur dhe ka dërguar AMTP origjinale pa numër në emër të shtetasit Kujtim Allmeta për pasurinë me nr.1032 z.k.1167 me sipërfaqe 7.500 meter katror, pa kryer më parë verifikimin në dokumentacionin që dispozonon zyra e tij. Ndërkohë që shtetasi Kujtim Allmeta, nuk mund të pajisej me AMTP pa numër datë 14.1.1996 (e falsifikuar sipas aktit të ekspertimit) pasi ishte pajisur me AMTP me nr.30 datë 06.01.1996, për pasurinë me nr.133/12, me sipërfaqe 5.100 m2 e llojit arë (sa ka qënë edhe norma për frymë).
Personi nën hetim shtetasi Kujtim Allmeta rezulton se pasi ka përvetësuar pasurinë me dokumenta të falsifikuara në bashkëpunim me punonjësit e Komunës Bërxullë dhe Kryeplakun e fshatit, ka përfituar edhe të ardhura monetare në vlerën 10.000.000 lekë të rinj, duke konsumuar dhe veprën “Pastrimi i produkteve të veprës penale” e parashikuar nga neni 287 i K.Penal, duke tjetërsuar pasurinë me qëllim mbulimin e orgjinës së saj, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale të falsifikimit të dokumentave.
Në rastin konkret, gjatë ushtrimit të detyrës në Komunën Bërxullë, shtetasit Kujtim Balliu, Agim Loci dhe Ymer Marku, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrën, kanë konsumuar elementë të veprës penale të "Shpërdorimit të detyrës" parashikuar nga neni 248 të K.Penal, pasi ka dyshime të bazuara në prova se këta punonjës, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kanë kryer veprime në kundërshtim me detyrën funksionale, duke cënuar interesat e ligjshëm të shtetit dhe personave të tjerë pretendues, për shkak të dëmit të konsiderueshëm ekonomik që u ka ardhur si pasojë e tjetërsimit jo të ligjshëm të pasurisë të pretenduar dhe gëzuar prej vitesh prej tyre' informoi sot prokuria e Tiranes.
Masa e sigurise
Duke marrë parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, përhapjen e veprës penale, sanksionin, si dhe me qëllim kryerjen e një hetimi gjithë përfshirës, në kushtet kur ekzistojnë shkaqe të cilat vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës (kriteret e përcaktuara në nenin 228 të K.Penal), prokuroria vlerëson se ata duhet të hetohen nën masën e sigurisë arrest me burg.
Hetimet
Hetimet nisëm më 16 shtator 2020 pas kallëzimeve të disa banorëve kur dhe u regjistrua proçedimi penal nr.5783, për veprën penale “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 të K.Penal.
Kan pervetsu edhe ne bashkine e kamzes te gjitha bregun e lumit ka ndertime pa leje kapanone eshte zaptu hapsira publike kan dhene leje certifikata pronsie ne kundershtim me ligjin (dyqane kapanone )
Përgjigju