Investimet e huaja në tremujorin e parë të 2021 u ulën me 3 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur sapo nisi pandemia COVID-19, njofton Banka e Shqipërisë. Sipas raportit në janar-mars u investuan 229 milionë euro nga 232 milionë euro vitin që shkoi. Rënia është më e thellë, me 13 milionë euro më pak, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2020, kur u investuan 242 milionë euro.
Sektorët që tërhoqën më shumë fonde në këtë periudhë të parë të vitit janë industria nxjerrëse me 40 milionë euro, me rënie prej 36 milionë eurosh krahasuar me 2020, ndërsa në raport me fundin e vitit që shkoi ka rritje me 14 milionë euro.
Në të njëjtën periudhë 37 milionë euro u investuan në aktivitete financiare dhe të sigurimit, duke u rritur krahasuar me vitin e shkuar, dhe duke ulur kështu në renditje sektorin e energjisë, i cili tanimë nuk është ndër sektorët kryesor për investime.
Pas përfundimit të investimeve madhore të TAP dhe kaskadës së Devollit, investimet në energji elektrike, gaz dhe furnizim me uji janë tkurrur me 48 milionë euro në janar-mars 2021, në raport me të njëjtën periudhë të vitit që shkoi.
Vendin e energjisë e ka zënë, investimi në pasuri të patundshme. Konkretisht në tremujorin e parë në këtë sektor u investuan 30 milionë euro nga 18 milionë euro që ishte në 2020.
Nga ana tjetër investitorët më të mëdhenj për periudhën janar-mars të këtij viti janë nga Holanda me 40 milionë euro, ndjekur nga Franca me 34 milionë euro dhe e treta Italia me 29 milionë euro.
FLUKSI I INVESTIMEVE TË HUAJA
Janar-Mars 2020 232 mln euro
Janar-Mars 2021 229 mln euro
Diferenca -3 mln euro
FLUKSI I INVESTIMEVE TË HUAJA
Tetor-Dhjetor 2020 242 mln euro
Janar-Mars 2021 229 mln euro
Diferenca -13 mln euro