Tkurret bujqësia, eksportet e zarzavateve rënie historike, i frutave në rritje! Rrapaj: fqinjët na konkurruan fort

19 Janar 2022, 23:06| Përditesimi: 19 Janar 2022, 23:12

  • Share

Fermerët eksportuan më pak zarzavate në vitin 2021, duke pësuar rënie për herë të parë që prej vitit 2005. Në total, gjatë vitit të kaluar u eksportuan 72,3 milionë euro zarzavate, nga 72.7 milionë euro në 2020, ndërsa importet ishin në vlerën e 20,8 milionë eurove. Kreu i Agrobiznesit Agim Rrapaj shpjegon arsyet e kësaj rënieje.

“Patëm një ecuri jo të mirë të perimeve në 3-mujorin e katërt, pasi kishte rënie në raport me 2020. Kushtet e motit ndikuan pozitivisht tek vendet fqinje, të cilat na bënë një konkurrencë të fortë, dhe nga ana tjetër politika e ndryshueshme pati ndikimin e saj që ndikoi në kosto”, tha kreu i Agrobiznesit Agim Rrapaj.

  Sa i takon frutave ka pasur rritje të eksporteve, nga 24 milionë euro në vitin 2020, në 28,7 milionë euro në vitin që lamë pas. Përpos rritjes importi i frutave është 2 fish më i lartë, rreth 56.9 milionë euro.

“Pati një ecuri të mirë eksporti i mandarinës, nuk ishte e njëjta gjë për portokallin për shkak të konkurrencës, pasi ne importuam portokall dhe ky është një problem që ne duhet ti japim zgjidhje”, tha Rrapaj.

Rritje rekord sipas Agim Rrapaj pati në eksportin e bimëve medicinale.

“Bie në sy një rritje e ndjeshme e eksportit të bimëve medicinale dhe aromatike, që kapën shifrën maksimale prej 60 milionë eurosh si asnjëherë tjetër. Kjo tregon se kemi potenciale të jashtëzakonshme në këtë sektor”, pohon ai.

Ndërkohë gjatë vitit 2021 sipas kreut të agrobiznesit, fermerët i kanë shitur më shtrenjtë produktet që kanë eksportuar, pasi shumica e partnerëve tregtare, tanimë ishin nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Pati ndryshime të partnerëve.  Ne rritëm ndjeshëm eksportet drejt BE, dhe vendeve që paguajnë më shtrenjtë, duke u larguar nga Serbia, Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi dhe kjo bëri që një pjesë e eksportuesve të stabilizojnë çmimet, nga të ulta që i shisnin në rajon me ato që shesin në vendet e BE-së”, pohoi Rrapaj.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?