“Kursi është djallëzor dhe i paparashikueshëm”, kështu u shpreh në verën e vitit 2024 guvernatori Gent Sejko teksa fliste në Kuvend. E pikërisht kështu rezultoi edhe vitin e shkuar, ku përpallë euros që vetëm zhvlerësohej, ndërhyrjet në treg të bankës duke blerë valutë nuk dhanë rezultat.
Banka e Shqipërisë njofton se vetëm gjatë vitit të kaluar për të stabilizuar kursin e këmbimit tërhoqi nga tregu 649 milionë euro, një shifër rekord historike. Në raportin e fundit të bankës qendrore mbi ndërhyrjet në treg, thuhet se në total gjatë vitit të kaluar u blenë 932.8 milionë euro, nga të cilat 283.8 milionë euro ishin për të rritur rezervën valutore dhe pjesa tjetër për të sjellë ‘qetësi’ në kursin e këmbimit, dhe për të forcuar pozitat e euros përballë lekut.
Vjet banka e Shqipërisë ka realizuar 20 ankande, ndërkohë shuma që u tërhoq nga tregu në vitin e kaluar ishte 684 milionë euro më e lartë se në vitin 2023, e shkaktuar prej zhvlerësimit të fortë të euros. Pavarësisht ndërhyrjeve euro nuk e ndaloi rënien dhe arriti të këmbehej afër nivelit 98 lekë.
Për të frenuar një dobësim tjetër të monedhës evropiane por më shumë për të rritur rezervën valutore në vitin 2025, Banka e Shqipërisë planifikon të tërheqë edhe më shumë valutë nga tregu këtë vit për të rritur rezervën. Nëse vjet plani ishte për të blerë 250-330 milionë euro për të rritur rezervën, këtë vit planifikimi është bërë për të tërhequr 270-350 milionë Euro.
Rezerva valutore ka arritur në vlera rekord sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, pasi muajin shkurt preku vlerën 6.9 miliardë euro, nga 5.5 miliardë euro që ishte vjet në shkurt. Rezerva valutore shërben për të shlyer borxhin e qeverisë në valutë, për të mbështetur tregtinë ndërkombëtare dhe për të parandaluar apo zbutur lëvizjet e forta të kursit të këmbimit.
Komente
