Deputeti i PS-së Erion Braçe në Komisionin e Ekonomisë këkrkoi nga Banka e Shqipërisë që të bëjë një parashikim mbi kursin e këmbimit, pasi industria dhe bujqësia po humbet nga zhvlerësimi i valutave.
“Do doja mobilizim të bankës për parashikueshmërinë e kursit të këmbimit”, tha Braçe.
Duke e konsideruar kursin e këmbimit ‘djallëzor’ guvernatori u përgjigj se është e pamundur të parashikohet kursi i këmbimi, dhe forcimi i valutave do të ndodhë vetëm nëse ekonomia dobësohet.
“Është e pamundur të bësh parashikim të kursit të këmbimit, është shumë djallëzor. Kursi i këmbimit natyrisht ndikon negativisht në prodhim apo tek ata që i kanë të ardhurat në euro. Duke qenë se kemi emigracion në rritje kemi të ardhura në euro që humbasin përfituesit. Duhet të kemi një ekonomi të dobët që të forcohen valutat”, tha Sejko.
Sejko njoftoi po ashtu se për 9 mujorin e këtij viti janë tërhequr nga tregu 800 milionë euro, nga 930 milionë euro që ishte totali i valutës së blerë vjet.
“Ne nuk kemi ndërhyrë asnjëherë në treg për të mbrojtur industri të caktuar, nuk është në tagrin tonë. Prodhuesit duhet të mbrohen me masa fiskale, jo me politika nga Banka e Shqipërisë. Ne kemi tërhequr deri më tani 800 milionë euro dhe shifra do të rritet edhe më tej, por ne nuk i publikojmë që të mos nxisim spekulime në treg”, tha Sejko.
Lajmi kryesor:
Sejko te ‘Ekonomia’: Pavarësia e Bankës së Shqipërisë është cenuar! Të shqetësuar për ndërtimin, por s’ka sinjale ‘flluske’
SI.E./ReportTv.al