'Tmerri më i madh ishte…', dëshmitë rrëqethëse: Si turma e egërsuar goditi familjen Tasi vetëm pse njeri prej tyre s’përplasi duart për fjalimin e Enverit

18 Qershor 2022, 08:19| Përditesimi: 18 Qershor 2022, 08:33

  • Share

Unë e mora nënën për krahu, me zor e çuam deri tek një makinë që për fat ishte afër spitalit dhe shkonte në Grabian. Më erdhi shumë keq për të që ishte në një gjendje të rëndë, më erdhi shumë keq edhe për veten por, m’u dhimbs mjeku. Ai njeri i mirë, që mundohej të kryente detyrën me aq përkushtim e njerëzi, ishte i detyruar t’u bindej tekave të një krimineli injorant, të diplomuar në armatën e të paaftëve, por që në sajë të vetëm një triske të kuqe në xhep, bënte ligjin. “Socializmi është një luftë ndërmjet të aftëve dhe të paaftëve. Fatkeqësisht në këtë luftë më të shumtën fitojnë të fundit”. Këto fjalë të Ismail Kadaresë u vërtetuan, pothuajse në çdo hap të shoqërisë që na rriti e na gjymtoi.

Merret me mend gjendja shpirtërore e tij, personaliteti i vrarë, dinjiteti i çuar në pikën zero. Në një rast tjetër më vonë ai mjek, ishte qortuar deri në Komitetin e Partisë, sepse kishte vizituar në Pluk një të sëmurë me azotemi, që i kishte ditët e numëruara. Ishte zgjatur pak në këtë vizitë, duke u munduar të kryente detyrën e tij më shumë si njeri se sa si mjek, duke i dhënë kurajo pacientes për t’a mbajtur të gjallë shpirtërisht me shpresën se shkenca do të bënte mrekullinë e saj. Ishte një vepër tejet humanitare: t’i largonte sadopak imazhin e tmerrshëm të vdekjes një gruaje në moshën dyzetepesë vjeçare, që nuk kishte njohur në jetën e saj veçse vuajtje. Për këtë mori vërejtje në Komitetin e Partisë, sepse kishte shkelur në shtëpinë e të deklasuarve, nuk kishte respektuar kodin famëkeq të ndarjes së klasave. Sa turp, si do të na dënojnë brezat e ardhshëm sepse, poshtërsinë dhe anti-humanizmin i vumë në institucion e në piedestal…!

Por megjithatë Fatmiri nuk u thye; ai vazhdoi t’i shërbejë profesionit të tij, me gjithë vërejtjet, qortimet, padrejtësitë që ndeshi në çdo çap të punës së tij, e kjo vërtetohet në qindra e qindra raste të cilat çdo ditë jeta i vu përpara si prova. Ai më pret mua dhe të tjerë si unë, si njerëz, si gjithë të tjerët, na jep këshillat mjekësore, interesohet për të sëmurët, pavarësisht se dikujt ndofta ende nuk i pëlqen ky qëndrim. Ai ka respekt për vuajtjen, për dhimbjen njerëzore, por jo thjesht si mjek, por dhe si njeri, si qytetar, si shqiptar. Dhëntë Zoti që njerëz të tillë të ketë mjaft, sepse janë kusht i domosdoshëm për ringjalljen shpirtërore të këtij kombi të sëmurë rëndë.

Herën e dytë nënën e çuan në urgjencën e spitalit, gjithmonë me lejen e Këshillit Popullor me një krizë të rëndë në zemër. Mjeku specialist nuk ishte aty dhe e sëmura qëndroi gjithë ditën pa u shtruar në pavijon, e vetëm në mbrëmje, një mjek që e njihja, mori përgjegjësinë për ta sistemuar përkohësisht në të. Unë u ktheva natën në këmbë, gjithsej 18 km. udhë, mbasi firmosa fletë-lejen në Degën e Brendshme, për t’ia dorëzuar këtu personit të ngarkuar me detyrën e policit. Mbas dy ditësh, përsëri thirrem për ta nxjerrë nënën nga spitali. Nuk jam mjek, nuk kam njohuri të thella në mjekësi, por besoj se nuk do të kishte mjek në botë që, të pranonte të nxirrte nga spitali mbas shtatëdhjetedy orësh, një të sëmurë me para infarkt. Këtu, në këtë procedurë nuk respektoheshin ligjet e mjekësisë por, urdhrat e Sigurimit, që njerëz të molepsur me dogmën e luftës klasore, i përçonin nëpërmjet kanaleve deri në pavijonet e spitaleve, për t’u zbatuar nga homologët e tyre me bluza të bardha.

Një problem i përgjithshëm në tërë këto vite të gjata internimi, mbeti për ne çështja e strehimit. Nuk mbaj mend gjatë gjithë jetës sime të kem patur një shtëpi sado modeste, por të mjaftueshme. Në Grabian na kishin dhënë një dhomë e një aneks në katin e dytë, pa kuzhinë, pa banjo, pa një vend ku mund të derdhej një pikë ujë. Gatuanim përjashta në shi e diell, ndërsa banjon e bënim në fund të shkallëve, në një korridor me lartësi pesë metra. Merren me mënd problemet e nevojshme personale të njeriut të sëmurë, të plakut, të fëmijëve, gruas me një WC që ishte në rrugë njëzetë – tridhjetë metra larg derës së apartamentit…! Janë të paimagjinueshme për një qytetar të botës së kompjuterëve kushte të tilla primitive inkomoditeti, ndofta shumëkush nuk do t’i besojë. Fatmirësisht e vërteta është e gjallë dhe kushdo mund t’i vërtetojë me sytë e tij po të marrë mundimin të vizitojë Grabianin.

Këto shtëpi dykatëshe të projektuara në Bullgari për familje bujqësore, ishin llogaritur për një familje, lart e poshtë. Por Partia e Pushteti “popullor”, mendonin se hapësira e madhe në banesë mund të kultivonte individualizmin borgjez, me gjithë pasojat e tij të dëmshme, në formimin e njeriut të ri. Prandaj duheshin mbajtur njerëzit sa më të shtrënguar me njëri-tjetrin, që “uniteti” rreth Partisë të ishte më i madh…! Kështu që në një hyrje futeshin dy familje, me të gjitha pasojat që një pjesë e mirë, jo vetëm e të internuarve, por edhe e shumë qytetarëve të lirë, i ka shijuar vetë. Në sektorin e Gradishtit, xhaxhai im, për vite me radhë e kishte kthyer dritaren e vetme të dhomës së vetme, në derë. Një palë shkallë nga jashtë e nga brenda shërbenin për të hyrë e për të dalë. Aty një herë natën, gjyshja e shkretë u rrëzua e theu dorën. Në këtë mënyrë plotësoheshin kërkesat e strehimit në një vend, ku vilat e udhëheqësve janë proverbiale, ku harxhohen dyzetë milion dollarë për një muze e, ku miliarda lekë groposen në tokë në trajtën e kupolave…!

Në kushtet e mia familjare në ato vite, problemin e fjetjes e zgjidha duke ndërtuar dy shtretër prej dërrase me dy kate, ku flinin dy vajzat e vogla dhe nëna me babanë. Pra e ktheva shtëpinë në kazermë ushtarake, duke vënë në jetë parullën e famshme “I gjithë populli ushtar”. Kërkesës së përsëritur disa herë, për të ndërtuar përpara shtëpisë një kuzhinë me kallama e baltë, kryetarja e Këshillit Popullor, “shoqja” Nurie, një personifikim i koncentruar i së keqes njerëzore, i përgjigjej negativisht, me pretekstin se prishej pamja e pallatit, ndërsa vetë “zonja”, e ndërronte hyrjen sa herë që bëhej ndonjë pallat i ri. U gjend më në fund kryetarja e Këshillit të Bashkuar, që na njihte që në Pluk, se e kisha patur brigadiere, që dha urdhrin e shumëpritur prej vitesh, për të ndërtuar një kasolle që do të shërbente si kuzhinë e si vend gatimi dhe dhomë fjetjeje për prindërit. Kështu u zgjidh dhe problemi i strehimit në Grabjan.

Jeta në internim në vitet ’80-të ishte një torturë e vërtetë. Për çdo nevojë, që të dilte jashtë sektorit, duhej të merrje leje në Degën e Punëve të Brendshme, madje duhej të shoqëroheshe nga polici, qoftë dhe kur do të shkoje tek mjeku. Tek xhaxhai im që banonte në sektorin e Gradishtit, një orë e gjysëm larg, nuk kam mundur të shkoj për vizitë as një herë në gjashtë vjet! Tek familja e gruas kam shkuar dy herë për vizitë, një herë kur vjehrri ishte sëmurë dhe të dytën kur vdiq. Si mbas rregullores që na lexohej herë pas here, vetëm për vdekje të njerëzve të afërm, ose për vizitë mjekësore tek specialisti, mund të jepeshin leje. Kjo ishte “vazhdimësia” ramiziane, trampolina nga do të hidheshim drejt Evropës.

Akoma më e rëndë se rregulloret ishte atmosfera terrorizuese, që rëndonte mbi ne për vite të tëra. Ne ishim tabela e qitjes në çfarëdo mbledhje, një gogol që mbahej më këmbë për të trembur zogjtë që të mos hanin farën. Në sytë e popullit të thjeshtë ne, servireshim si njerëzit më të këqij, armiqtë, ata që mundoheshin ta përmbysnin pushtetin popullor, ata që s’e duan Partinë dhe Enver Hoxhën, ata që mund të helmojnë depot e ujit, mund t’i vënë zjarrin stallave apo lëmit, ata që mund të sabotojnë prodhimin, duke prerë bimët gjatë prashitjes së tyre, që mund të thajnë bimë nga përmbytja me ujë, që mund… e ky mund zgjatej në pafundësi, duke vërtetuar “gojëtarinë” e kuadrove të Partisë që i predikonin këto gjëra. Kështu tek shumica që s’mendonin me kokën e tyre, por i besonin verbërisht për një arsye apo për një tjetër propagandës partiake, krijohej urrejtja që shfaqej pastaj në shumë drejtime.

Ajo shprehej me izolimin e plotë, askush nuk guxonte të hynte e të dilte në shtëpi për çfarëdo rasti, fatkeqësie apo gëzimi, madje ka akoma komunistë që nuk na thonë as mirëmëngjesi, megjithëse kemi mbi dhjetë vjet që banojmë në të njëjtën lagje. Madje dhe në fushë, kur uleshim për të ngrënë drekë, nuk duhet të ishim pranë njëri-tjetrit. Çdo fjalë e jona keq interpretohej dhe i raportohej operativit të Sigurimit ose sekretarit të Partisë, që nxitonin t’a përcillnin “lart”. Mbikëqyrja ishte e pandërprerë, në format më të ndryshme e në çdo çast; nuk mungonin dhe provokimet e shumëllojshme nga brigadierë apo njerëz të ngarkuar me këto detyra. Për të qenë objektivë, duhet të them se jo të gjithë kuadrot e komunistët i përqafonin dhe i zbatonin me zell këto metoda e porosi. Ndershmërisë dhe korrektësisë së tyre, duhet t’u japim meritën që i takon me kënaqësinë që sjell mendimi se, jo të gjithë denigruan moralisht e u bënë leva të diktaturës.

Lufta e klasave dhe terrori policor merrnin tonet e tyre më të larta në të ashtuquajturat “demaskime politike”, që herë pas here, në vartësi të gjendjes politike të vendit, organizoheshin nga Komiteti i Partisë së rrethit në bashkëpunim, ose më mirë të themi me orientim të Degës së Punëve të Brendshme. Në këto mbledhje demaskimi, ishin të detyruar të shkonin të gjithë. Procedura e tyre ishte stereotipe. Në fillim e hapte mbledhjen sekretari i Partisë i sektorit dhe i’a jepte fjalën të deleguarit të Komitetit të Partisë së rrethit, që fillonte paraqitjen e tij. Këto ishin çaste sfilitëse për të gjithë ne, sepse e dinim se nga një çast në tjetrin, mund të na thirrej emri për të dalë përpara sallës. Ishte përshtypja sikur një shpatë e padukshme vërtitej nga duar të panjohura mbi kryet e gjithë “të deklasuarve”, për të goditur njërin apo tjetrin. Kush e kishte radhën? Të gjithë me zemër të ngrirë ishim si ata lojtarët në ruletë që, presin se në ç’numër do ta ndalojë fuga lëvizjen e saj. Kjo manovër djallëzore ishte taktika e drejtuesve të mbledhjes. Mbasi fliste disa fraza mbi punën e stinës dhe “sukseset madhështore të popullit nën udhëheqjen e Partisë”, i deleguari afrohej tek momenti i ankthshëm kur zbulonte se x ose y, ishin në radhët tona armiq dhe njerëz që mundoheshin “të villnin vrer apo t’i kundërviheshin atmosferës revolucionare që mbizotëronte…”!

Më vjen ndot, tani që shkruaj këto radhë, duke kujtuar ato mbledhje famëkeqe, një nga shpikjet më të ndyra e më barbare të organeve të dhunës, shkeljet më flagrante të personalitetit njerëzor e të drejtave të njeriut. Sapo i thirrej emri, njeriu i gjorë duhet të dilte para sallës plot e të qëndronte në këmbë për orë të tëra. Atëherë fillonte akt-akuza e bazuar krejtësisht mbi gënjeshtra të spiunëve ose hamendje të oficerëve të Degës së Brendshme. Këto servireshin me petkun partiak, mbrohej vërtetësia e tyre me frazën bajate: “A gënjen Partia”?, një tjetër provokim i hapur i makinës së pushtetit karshi individit të pambrojtur. Mbasi mbaronte akt-akuza, që fillonte me biografinë stërgjyshërore e të farefisit e, vinte deri në ditët e fundit me fjalët apo veprimet e të pandehurit, fillonte breshëria e diskutimeve nga populli që përfaqësohej këtu nga disa persona të ulët, pa karakter e servilë.

Është interesante se në të gjitha këto demaskime, në të cilat kam marrë pjesë pa më rënë në kokë personalisht, kam parë gjithmonë të flasin pothuajse të njëjtët persona, sigurisht të trajtuar e të indoktrinuar nga padronët e tyre. Motivet e veprimeve të tyre duhen kërkuar në shumë shkaqe, përfitime materiale apo mbulim veprimtarie keqbërëse, karrierizëm pa skrupull e fanatizëm partiak, padije e sadizëm. Në fjalorin e tyre shpaloseshin të gjitha: besnikëria ndaj Partisë dhe Enver Hoxhës; salla buçiste nga duartrokitjet, me to detyrohej të bashkohej dhe i pandehuri në këmbë. Vazhdonin shpifjet, talljet, mallkimet, propozimet për transferimet në zonat e thella malore, për dhënie gjyqit, për rrahje, pështyrje e deri në dënime kapitale. Por këtu ndërhynte i deleguari ose sekretari, të cilët si përfaqësues të “zemërgjerësisë” së Partisë, sqaronin se vullneti i masës së popullit ishte mbi gjithçka, por se Partia nuk dashkërka të dënojë njerëz, por të “edukojë”.

I bukur edukim, ç’frazë mizore e luajtur pa turp mbi shqiptarët e thjeshtë! Ka pasur raste që është kaluar në tepri të paimagjinueshme e të pabesueshme për një qytetar të Evropës së sotme. Familja Tase mbas një demaskimi të tillë, vetëm sepse një pjesëtar i saj nuk përplasi duart për Enver Hoxhën, u qëllua me gurë nga gjithë ata njerëz, fëmijë e të mëdhenj. Një skenë biblike që vazhdoi mjaft, një betejë mes një turme të egërsuar e një familjeje të urtë, një njollë turpi në ndërgjegjen e asaj popullsie që qe e pranishme në ato skena pa reaguar aspak, një shembull tronditës i skajshmërisë së institucioneve të diktaturës së kuqe në Shqipëri. Ishin këto disa nga aspektet e dhimbshme të viteve të internimit deri më 1990-ën, kur demokratizimi e hoqi këtë praktikë, sa të shëmtuar e të panevojshme, aq edhe të padrejtë e të paligjshme në aspektin juridik.

Arbitraritet dhe dhunë, kjo qe fytyra e vërtetë që tregoi ndaj nesh Shteti Socialist Shqiptar për dhjetëvjeçarë të tërë…! Kjo qe e shkuara që e mbajtëm mbi supet tona që sa lindëm e deri tani që flokët na u zbardhën e jeta filloi të tatëpjetën drejt fundit të pashmangshëm. A ishte i drejtë ky qëndrim, a mban përgjegjësi kush për jetën tonë të shkatërruar, për gjymtimin tonë fizik e shpirtëror, pasojë e kësaj jete, a arrin dot ta kuptojë në tërë përmasat e saj tragjedinë tonë Evropa e qytetëruar? Ç’mund të bëhet për ne që humbëm aq shumë në këtë luftë të pabarabartë me një makinë të përbindshme që shkeli mizorisht ëndrrat dhe iluzionet tona mbi jetën, këtë dhuratë të madhe të Krijuesit? A do të ketë ngushëllim dhe ripërtëritje për ne që u transformuam në kufoma të gjalla, pa i pasur borxh askujt, asnjë fije floku? A do të ketë vend për ne në një shoqëri që thuhet se po rindërtohet e në një botë që synon drejt së mirës, drejt zhdukjes së diktaturave?

Dhjetëra pyetje godasin pa mëshirë trurin e lodhur që kërkon qetësi në këtë çast bilanci e përkundet në mirazhin e së ardhmes, ku hedh shtat pema e bukur e shpresës se fëmijët e mi nuk do të pësojnë në jetë ato që pësova unë.

Grabian, Qershor 1991

MENDËSIA E NJERIUT TË LIRË

(Diskutim në Konferencën kombëtare për letërsinë, mars 1996)

Më duket mjaft i dobishëm organizimi i kësaj konference, në nivel mjaft të lartë, mbi një temë aq të rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen e kulturës shqiptare, siç është tema e trashëgimisë letrare.

Me të drejtë profesor Sabri Hamiti e quajti letërsinë tonë letërsi qëllimore. Kushtet historike të vendit tonë i detyruan shkrimtarët shqiptarë, në kohë të ndryshme, që nga fillimet e deri në ditët e sotme, të kushtëzonin veprat e tyre me nevojat e çastit dhe të së ardhmes së Kombit. U ra barra e rëndë e formimit të ndërgjegjes kombëtare shkrimtarëve që u duhej të ishin mësues dhe historianë, drejtues shpirtërorë dhe politikanë, poetë e prozatorë të mirëfilltë dhe përkthyes, veprimtarë atdhetarë e, në shumë raste dhe pushtetarë…! Më duket kjo një specifikë e veçantë e letërsisë shqiptare që vështirëson punën e kritikut letrar apo hartuesit të letërsisë shqipe, të cilit i duhet të veçojë në këto raste shërbyesin e tempullit të letrave nga pjesa tjetër e personalitetit të tij.

Është pikërisht studimi, i parë në këtë prizëm, që do të jetë baza e hartimit të një historie letërsie objektive ose, i një rishikimi të asaj historie. Sa i rëndësishëm është roli i kritikës objektive, pa paragjykime të çfarëdo lloji, në këtë proçes është e tepërt të pohohet. Problemi që, si mbas mendimit tim modest, shtrohet sot para nesh është një tjetër: a jemi ne në gjendje t’a bëjmë këtë vlerësim objektiv? Pesëdhjetë vite sistemi diktatorial të skajshëm, na kanë indoktrinuar thellë, qoftë dhe në mënyrë të pavetëdijshme, me parime komuniste dhe kundër komuniste, saqë më duket tepër e vështirë të jemi objektivë. Duhet mendësia e njeriut të lirë nga vargojt e ideologjive, me një bagazh të pasur të ideve e parimeve universale të vlerësimit të artit për t’a kryer këtë mision. Na duhet të ushtrojmë kriteret e vlerësimit të artit të madh, që i ka qëndruar kohës sepse, në të gjitha shfaqjet e tij ka vënë në qendër njeriun, “kurorën e gjërave të gjalla”, siç e quante Shekspiri, miniuniversin e tij të brendshëm me të gjitha komplekset e tij të rendit psikologjik, moral, intelektual, material, marrëdhëniet e tij me të ngjashmit, me botën përreth, me të gjitha ligjet e shkruara e të pashkruara të saj.

Kështu na vijnë nga thellësia e shekujve mëria e Akilit dhe besnikëria e Penelopës, hakmarrja e Medeas dhe pasioni i Paolos dhe Françeskës, xhelozia e Otellos dhe gjumi i vrarë i Makbethit, altruizmi naiv i Don Kishotit dhe psherëtimat dashurore të Heloizës, përpjekja dy jetësore e Faustit për një çast lumturie dhe rebelimi i Karl Morit, gjakftohtësia kriminale e Raskolnikovit dhe fisnikëria shpirtërore e Andrea Bollkonskit, dhimbja e Trinës apo verbimi i poetit në rrethimin e Krujës. Ky duhet të jetë metri me të cilin duhet të maten dhe shkrimtarët tanë, të vjetër e të rij. Me këtë mendësi, është e rëndësishme të edukojmë dhe brezin e ri të nxënësve, studentëve dhe studiuesve të rij të letërsisë. Më duket me rëndësi, në funksion të kësaj ideje, nevoja e përkthimit dhe vënies në përdorim të lexuesve të veprave të kritikëve të mëdhenj të letërsisë klasike e bashkëkohore botërore.

Rishkrimi i historisë së letërsisë shqiptare, larg parametrave absurde të pesëdhjetë viteve të regjimit komunist, do të jetë një nga shfaqjet kryesore të ripërtëritjes së kulturës shpirtërore të popullit tonë. Furtuna e gjatë që kaluam nuk rrafshoi vetëm ekonominë, por cungoi dhe botën tonë të brendshme, duke ngritur kultet e antivlerave e duke mohuar jo vetëm vlerat por dhe jetët e bartësve të tyre. Është detyrë imperative e jona të rilindim, të ringjallemi, të vemë në vendin e duhur atë që e zhvendosën pa të drejtë e të rivlerësojmë paanësisht atë që është mbivlerësuar, gjithashtu pa të drejtë. Fillimi është i mbarë, por mbetet ende shumë për të bërë, sepse rivlerësimin duhet t’a bëjmë me gjakftohtësinë e shkencëtarit, pa pasione, sepse këta nuk janë këshilltarë të mirë. Më pas le të shpresojmë se brezi i ri i letrarëve, që do të ketë fatin të jetojë në një Shqipëri normale, do të ketë aftësinë t’a lartësojë dhe më shumë tempullin e letrave shqipe. /Memorie.al

Mars 1996

Vijon numrin e ardhshëm...

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Flori: 18/06/2022 15:42

    Nuk ishte vetëm sistemi... është dhe zemra e shqiptarëve pak e fëlliqur

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?