Toçi bën bilancin për 2022 në sportin e skive: Lara Colturi, premisa të na nxjerrë kampion bote! Të mos e shohim borën si bela, por të investojmë

26 Dhjetor 2022, 18:30| Përditesimi: 26 Dhjetor 2022, 19:05

  • Share

TIRANË- Kur kanë mbetur edhe 5 ditë nga mbyllja e 2022, Elvis Toçi, presidenti i Federatës së skive ka bërë bilancin e një viti pune, ku pa dyshim, Shqipëria ka numëruar jo pak suksese, ku vendin e parë e mban Lara Colturi e renditur 25-ta në botë. Në një intervistë në Report Tv, në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Toçi ka theksuar se të marrësh pikë botërore në një kampionat të skive ka domethënie shumë të madhe, ndonëse jo shumë kush mund ta kuptojë. Mirëpo, në bilancin e arritjeve nuk renditet vetëm Lara Colturi, por edhe Kevin Qerimi, që siç tregon Toçi është renditur i treti në botë, si edhe Deni Xhepa, i 18-ti në Lojërat Olimpike.

“Nesër në 10:30 Lara konkurron dhe po kërkojmë që të futet në top 30, në 2 gara, ajo u rendit njëherë e 17 dhe njëherë e 25, dhe kjo renditje i jep Shqipërisë pikë botërore. Ky është bilanci i parë, vetëm 100 sportistë nga 20 mijë që ka për femra marrin pjesë në Kupën e Botës he Shqipëria jonë e vogël është aty. Kevin Qerimi u shpall i treti i botës për moshën nën 18 vjeç. Ka treguar veten, në kontribuojmë pak, dhe ato kanë trajnerët më të mirë. Arritja tjetër është Deni Xhepa që në lojërat olimpike të Pekinit doli i 28 në botë. Lara jonë e vogël për 1-2 vjet të jetë kampione bote dhe të gjithë tregojnë që ajo i ka parametrat e kampiones së botës. Rekrutimi i saj ka qenë meritë e federatës. Ajo vendoi që jetën e vet ta zhvillonte në Shqipëri, ky është një fat i madh, ka filluar skautizmi italian, por deri më sot ajo ndihet si në shtëpinë e saj”, tha Toçi në Report Tv.

E pikërisht për këto arritje, presidenti i Federatës është i mendimit që Shqipëria do duhet të investojë në sportin e skive, i cili bën pjesë në kategorinë e sporteve të shtrenjta.

“Skija është sport i shtrenjtë, vetëm veshja shkon 4 mijë euro. Borën ne e shohim vetëm si bela, ne duhet ta kthejmë në para, Rama e ka të qartë që do, një impiant ski do 100 mln euro, malet tona, mrekullitë e Valbonës, Korçës, Pogradecit, një bujtinë e bukur mes maleve, funksionon gjatë gjithë vitit”, vijoi ai.

Duke qenë se skija është një sport jo shumë popullor në Shqipëri, Toçi ka zbuluar edhe aktivitetet që do të zhvillojë federata me qëllim promovimin, ku njëra do të mbahet në Bardhë të Korçës e tjera në Kosovë.

“Në 13-14 janar kemi ditën ndërkombëtare të Borës, në Dardhë do e organizojmë me të gjithë shkollat, do ketë një koncert, me DJ më të famshëm në botë, e bëjmë për të treguar se ky vend mundet. Në fund të marsit në Kosovë do organizojmë një garë të përbashkët, të gëzojmë së bashku, them se jemi në rrugë të mbarë”, përfundoi Toçi.

Skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi u rendit në vendin e 25 në Botërorin e Skive që po zhvillohet në pistën e Sestiere në Itali për kategorinë "Slalom". 16-vjeçarja e natyralizuar si shqiptare bëri një paraqitje të mirë duke konsideruar se po garonte në një event të një niveli të lartë.

Lajm në web u përgatit nga gazetarja Brunilda Kazani

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?