Nga parmenda e drunjtë që tërhiqej me kuaj, tek industrializimi e rënia e regjimit, studiuesi Artan Hoxha bën një hulumtim të plotë të historikut të Kënetës së Maliqit. Pas librit ‘Tharja e kënetës së Maliqit’ ku thellohet edhe mbi ndërtimin e regjimit komunist në periferi të Shqipërisë, sjell në afro 350 faqe botimin në anglisht ‘Toka e sheqerit’. Në këtë botim që mban emblemën e Central European University Press, shikohet historiku përgjatë shekullit XX-të.
“Ky studim ka filluar në vitin 2016, gjatë kohës që unë kam qenë pjesë e Departamentit të Historisë në Universitetin e Pitsburgut në SHBA. Qëllimi kryesor ka qenë jo thjesht të merresha me Kënetën e Maliqit, por me të gjitha proceset e transformimit social dhe kulturor” thotë autori Artan Hoxha, studiues pranë Institutit të Historisë.
Udhëton në terren e kërkon në Arkivin Shtetëror e atë lokal të Korçës tashmë të zhvendosur për ta sjellë të plotë tablonë e kësaj pike të shumë diskutuar. ‘Toka e sheqerit’, përmbledh po ashtu zëra e intervista në terren.
“Është një lloj ‘polifonie’ që sjell një histori me sa më shumë njerëz të përfshirë me sa më shumë perspektiva”, shton ai.
Sipas tij, studimet dëshmojnë se projekti i tharjes së kënetës zbatuar në vitet 46-47, daton në fakt para Pavarësisë, si një nismë e borgjezisë korçare, të cilën komunistët e përvetësuan.
“Ndërkohë zbulohet edhe falë disa teknikëve francezë që kishin qenë në Korçë gjatë Luftës së Parë Botërore se toka ishte e përshtatshme për të mbjellë panxhar sheqeri, dhe kështu bonifikimi i tokës bashkë me industrinë e sheqerit fillojnë të dalin në skenë që në vitet ’20. Komunistët e huazojnë projektin e borgjezëve korçar dhe e bëjnë atë një nga emblemat e ndërtimit të Shqipërisë socialiste”, shprehet studiuesi.
Ndonëse në studimin e historikut të bonifikimit të Kënetës, ndalet edhe tek ekzekutimi i inxhinierëve të së ashtuquajturës ‘organizatë sabotatore’, trajton më tej në ‘Tokën e sheqerit’ se si transformimi fizik ka ndikuar në ndryshimin socio-ekonomik, jo vetëm të një zone por edhe më gjerë përgjatë këtij regjimi, duke konstatuar dëmet, pa mohuar efektet pozitive që mund të ketë gjeneruar.
“Pikërisht për këtë arsye unë kam zgjedhur Maliqin, për të treguar se si bëhet ky lloj ndryshimi rrënjësor i hapësirës fizike dhe bashkë me të ndërtohen edhe bashkësi të reja, një qytet i ri i prodhimit të sheqerit, fshatra të reja atje ku kishin qenë dikur e që ishin mbuluar nga këneta. E se si më pas shohim krijimin e bashkësive të reja dhe bashkë me të edhe të një shoqërie të re”, shprehet më tej.
Hulumtimi cek edhe periudhën e rënies së perdes komuniste, ku fabrikat nuk janë më.
“Si vetë ndërtimi i Kombinatit të Sheqerit, si vetë ideja e transformimit të hapësirës së Maliqit, si vetë ideja e inxhinierisë sociale, ashtu më pas edhe deindustrializimi janë prirje të proceseve globale’, thotë Hoxha.
Nga historiku i keneyes se Maliqit kemi bonifikimin si proces shume transformues dhe i veshtire dhe mbjelljen e oanxharit te sheqerit dhe ndertmin e kombinatit .Pra transformin bujqesir ,industrial dhe social .Sot asgje !Pse nuk vazhdou kombinati i peodhimit te sheqerit ?Politikan kriminel te oas komunizmit shkaterruan cdo gje vetem per privatizim dhe mbrojtes te tregtareve matrapaz importues . Eh sa krime jane bere dhete njejtet surreyer akoma !
Përgjigju