Ekonomi

Tokat 'djerrë', sipërfaqja e mbjellë ulet në 677 mijë hektarë! Tregu 'tremb' kultivuesit e grurit, prodhuan 22% më pak! Bankat strikte, dhanë vetëm 6 mln euro hua

6 Korrik, 14:14| Përditesimi: 6 Korrik, 15:39

  • Share

Largimi i banorëve nga zonat rurale, mungesa e fuqisë punëtore, financimi i ulët dhe ngecja tek makineritë e vjetra po e mbajnë bujqësinë në krizë, duke dhënë kontribut negativ në rritjen ekonomike.

Brenda 6 viteve sipërfaqja e tokës bujqësore të mbjellë sipas shifrave të INSTAT ka rënë me rreth 20 mijë hektarë. Përgjatë gjithë vitit të kaluar shifrat zyrtare tregojnë se u mboll në total nga perimet e deri tek bimët medicinale 677 mijë hektarë nga 696 mijë hektarë në 2019-ën.

Shifrat e INSTAT tregojnë se vjet pati një rënie të prodhimeve, me përjashtim të perimeve, ku objektivi kryesor i fermerëve është tregu i huaj. Sipërfaqja e mbjellë kryesisht me domate e speca u rrit në rreth 45 mijë hektarë nga afro 43 mijë në 2023-shin. Në total, fermerët prodhuan vjet 1.4 milionë tonë perime.

Për shkak të mungesës së tregut, fermerët mbollën më pak grurë vjet. Nga 57 mijë hektarë në vitin 2023 ku kultivuan 233 mijë tonë, vjet u prodhua në total 180 mijë tonë grurë në një sipërfaqe prej më pak se 46 mijë hektarë të mbjellë.

Siguria kombëtare varet edhe nga bujqësia, një tezë kjo e provuar edhe në kohë lufte, si ajo në Ukrainë, ku viti 2022 na përballi me çmime stratosferike nga drithërat e deri tek produktet e tjera të konservuara. Sa më i madh prodhimi vendas thonë ekspertët aq më pak rriten çmimet, por kur prodhimi ngec ekspozimi nga tregjet e huaja është i lartë dhe fatura rritet.

Një nga faktorët kryesorë pse fshati po braktiset e bujqësia po tkurret është financimi i ulët i bujkut. Mbështetje që jepet jo vetëm me subvencione por edhe me kredi. Sektori që punëson më shumë se 450 mijë qytetarë kryesisht në zonat rurale apo biznese të vogla familjare dhe që jep kontribut në Prodhimin Kombëtar me afro 18%, merr si financim vetëm 1.8% të buxhetit të shtetit dhe më pak se 1.3% të totalit të kredisë që japin bankat.

Nga 8.2 miliardë euro shpenzime për vitin 2025, për bujqësinë u ndanë vetëm 145 milionë euro. Ndërsa sektori bankar vijon të tregohet strikt me këtë sektor, pasi stoku i kredisë së dhënë për bujqësinë në fund të vitit 2024 ishte vetëm 63 milionë euro ose 1.3% e totalit të huasë së dhënë për bizneset.

Kredia e re e dhënë në 5 muajt e parë të këtij viti për bujqësinë ishte 6.6 milionë euro, ose 43% më pak se e njëjta periudhë vjet kur u miratuan 15 milionë euro kontrata kredie për këtë sektor. Për të nxitur bankat të japin më shumë kredi për këtë sektor, qeveria ka miratuar garancinë sovrane prej 30 milionë euro, që parashikon kredi të buta, por ende nuk ka hyrë në fuqi.

Xh.D/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Toka dhe bujqesia: 06/07/2025 17:56

    Duhet te ishin mbjelle me shume , pomodorini, apo salata si rukola , pse jo edhe produkte baze te turizmit (sallata dhe gjithe elementet e sallatave per restorant ) pse jo “spinaçi “ dhe element per byrekun (pjesa jeshile) si spinaç etj ! Do ishte mire qe prodhimi Vendas i teknologjise ushqimore te jete motorr i turizmit dhe kulinarise (restoracioni dhe hoteleria) , po ashtu fruta dhe shpend apo prodhime mishi/djathi i jep hov turizmit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?