Sociale

Tokat në Cakran thahen për ujë, 700 ha mbeten djerrë! Fermerët kërkojnë riparimin e rrjetit vaditës

20 Qershor, 17:25| Përditesimi: 20 Qershor, 17:29

  • Share

Mungesa e ujit për vaditje ka kthyer në tokë djerrë rreth 700 hektarë në njësinë administrative Cakran në Fier. Fermerët prej gati dy dekadash vuajnë pasojat e demtimit të sistemit vaditës, ndërsa thonë se kanë mbetur në mëshirë të fatit.

Kjo është panorama që ofrojnë sot fshatrat e Cakranit, me parcela të tëra të thara dhe toka që dikur mbilleshin me drithera sot janë braktisur. Fermerët thonë se që pas ndërtimit të autostradës Levan-Tepelenë, kur u dëmtua tubacioni që sillte ujin nga lumi Vjosë, jeta e tyre është bërë një betejë për mbijetesë.

"S’ka pikë uji. Jemi krejt të lënë pas dore. As puse s’mund të hapim se kushtojnë shumë", thane ata

Për shkak të mungesës së ujit per vaditje, ata janë detyruar të kufizohen vetëm në kultura që kërkojnë më pak ujë, si jonxha dhe tërshëra. Por edhe këto nuk mjaftojnë për të siguruar të ardhura minimale.

"Kjo tokë ka qenë hambar i Shqipërisë. Sot s’na mbetet veç të shohim nga qielli. Po na ikën rinia, po ikën gjithçka", shprehen banorët.

Nga ana tjetër, burime pranë njësisë administrative Cakran thane se aktualisht nuk ka asnjë projekt për rikonstruksionin e sistemit vaditës.

Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2011, Cakrani kishte 11 722 banorë, por kjo shifër ka rënë ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, duke zbritur në 8 100 banorë, sipas Censit te 2023-shit. Kjo rënie prej gati 30% pasqyron fenomenin e emigrimit dhe plakjen e popullsisë.

Zona njihet për kultivimin e grurit, misrit, perimeve, si dhe për prodhimin e vajit të ullirit, veçanërisht varieteti Kalinjioti. Kjo e bën bujqësinë ende sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë lokale, pavaresisht se problemi kronik i furnizimit me ujë për vaditje dhe ulja e fuqisë punëtore kanë ndikuar negativisht në renien e prodhimit.

R.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?