Akademiku Vasil Tole në një prononcim për Report TV njoftoi se Gudar Beqiraj do të përcillet për në banesën e fundit nesër në orën 11:00 në Tufinë. Homazhet, tha ai nuk do të jenë të formës klasike si më parë për shkak të pandemisë. Tole tha se Beqiraj kishte shumë projekte në duar dhe se kontaktin e fundit e kishte pasur 10 ditë më parë. Akademiku tha se Gudar Beqiraj u nda nga jeta si pasojë e problemeve me zemrën.
"Ishte e papritur dhe të gjitha lajmet e papritura të zënë në befasi, pasi miku ynë nuk kishte as moshën dhe as kohën për t'u larguar. Na ka zënë në një situatë të vështirë dhe të trishtuar, ishte një akademik, i angazhuar në shumë drejtime, në mbështetjen e sportit dhe shkencës. Ishim vazhdimisht në kontakt se ishte shumë aktiv, ka pasur plane dhe projekte në duar, që i zhvillonte me kolegët e tjerë shkencëtar. Ishte një nga kuadrot e matematikës e specializuar. Ka qenë ndër pionerët në fushën e informatikës. Akademia pavarësisht ndërprerjes nga COVID-i kemi qenë në kontakt si për organizimin e brendshëm të akademisë dhe masat për të përballuar COVID-in.
Kontakti i fundit ka qenë jo më larg se para 10 ditësh. Nga informacionet që patëm ishte një situatë akute që lidhet me zemrën, këtë na konfirmojnë familjarët dhe kolegët që janë afër me familjen. Akademia e Shkencave ka aprovuar edhe një rregullore ceremonialit, që nderojmë akademikët dhe personalitetet e larta. Në këto kushte nuk mund ta zbatojmë tërësisht, këtu kam parasysh pjesën e nderimeve, por nga ana tjetër të gjitha ato, nekrologjia, prononcimet për mediat, apo edhe dicka tjetër që po përgatitet, pjesëmarrja e një përfaqësie të akademisë në homazhe, për ngushëllim pranë familjes, jo homazhe klasike, ne do i bëjmë dhe prezenca e akademisë në momentin e përcjelljes nesër në orën 11:00 në varrezat e Tufinës" tha Tole.
Lajmi kryesor:
Shuhet në ditën e lindjes ish-kreu i Akademisë së Shkencave, peshëngritësi Gudar Beqiraj
//ReportTv.al