Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte këtë të hënë në Kukës, ku prezantoi kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Madhështore në zgjedhjet e 11 majit. Gjatë fjalës së tij, Berisha nuk kurseu sulmet as ndaj kreut të Partisë Social-Demokrate, Tom Doshi, i cili pak kohë më parë u zotua publikisht se do t’i marrë Partisë Demokratike një mandat deputeti në Qarkun Kukës.
Berisha tha se Doshi blen vota në favor të kryesocialistit Edi Rama, me paratë e tenderave që ky i fundit i jep. Po ashtu, kreu i PD u kërkoi kuksianëve që të mos japin asnjë votë në drejtim të partive të reja, pasi sipas tij, ato janë paterica të Partisë Socialiste dhe synojnë përçarjen e votës opozitare.
"3500 tendera fiton në vit Tom Doshi nga Edi Rama dhe e nxjerr Tomën për të blerë vota pastaj. Asnjë votë Tom Doshit, asnjë votë partive të vogla, të ashtuquajtura të reja, të cilat janë paterica të Edi Ramës",- tha Berisha.
Një thirrje Berisha pati edhe për ata që filmojnë votën e tyre.
“Unë e di se ka punonjës administrate që u luten, fotografoni votën, ma dërgo se ma kërkon shefi. Asnjë fotografi mos bëni. Mos votoni Pashiqin e shqiptarëve. Se ata që u kërkojnë ju votën për të mbrojtur vendin e punës, ata kryejnë një gabim të madh shumë. Ju mos u bëni bashkëfajtorë me ta”, tha Berisha.
Berisha akuzoi kundërshtarin e tij se po nxit përçarje në familje përmes termave që përdor për burrat.
“Sillet nga një takim në tjetër me një fjalor të padenjë. Njëherë thotë se burrat janë kështu e ashtu, duke harruar se burrat janë baballarët e fëmijëve të atyre zonjave. Është botëkuptimi i atyre të cilët thanë se ka ikur koha të quajmë nënën, nënë dhe babën, babë. Është botëkuptimi i atyre të cilët prunë në parlament ligjin për të krijuar fermat e grave dhe për të lindur fëmijët e askujt”, tha Berisha.
Përpara kuksianëve Berisha tha se programi i ‘Shqipërisë Madhështore’ përveçse do të rrisë paga e pensione dhe do të ulë çmimet, do të bëjë të mundur faljen e gjobave për energjinë si dhe do të heqin traun e rrugës së Kombit.
Takimi i Berishës në Kukës është një dështim i plotë.
Siç shihet në foto, vetëm një grusht militantësh i janë bashkuar, në një qark ku PD pretendon të jetë më mirë se PS.
Siç do thoshte vetë Berisha në këtë rast: një m… heshtje për takimin e Kukësit.
Komente
