Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini tha se kohët e fundit janë konfirmuar 6 raste me Covid-19. Në intervistën për Report TV, Tomini tha se nuk ka elementë që kanë të bëjnë me nënvariantin e ri të raportuar në SHBA.
Ajo apeloi për të treguar më shumë kujdes me higjienën sidomos gjatë kësaj periudhe të nxehtë.
“Është variant, i cili po monitorohet dhe vlerësohet me interes nga strukturat ndërkombëtare. Çdo nënvariant i ri monitorohet. ISHP vijon monitorimin e gripit dhe Covid-19 në mënyrë paralele. Vetëm javët e fundit kemi pasur 6 raste Covid-19 të konfirmuar, dhe asnjë element mbi karakteristikat të një nënvarianti të ri.
Ne jemi në koordinim me strukturat ndërkombëtare, situata është e qetë nga vlerësimi epidemiologjik por në sezonin e verës, masat e kontrollit respirator dhe higjinerik duhet të jenë të shtuara. Edhe pse nuk jemi në sezon gripi por Covid-19 ka treguar se është prezent gjatë gjithë vitit, e kemi prezent dhe do ta kemi gjithmonë.
Duhet patur kujdes nga etiketa te shenjat respiratorë, rrufa, dhimbja e kokës, temperatura, që janë karakteristikë për çdo virozë, por Covid-19 si çdo sëmundje tjetër infektive, duhet të ketë bazë higjienën dhe etiketën respiratore për të mos pasur infektim tek të tjerë.", tha ajo.
Tomini shtoi se alergjitë e stinës apo infeksionet respiratore janë prezente, por numri është i ulët krahasuar me pikun. Infeksionet, tha Tomini, janë kryesisht pulmonare për shkak të ndryshimit të temperaturave.
"Nuk kemi viroza të tjera s’kemi konfirmuar grip në survejancën të sindromit të ngjashëm me gripin. Vetëm 6 raste nga buletini i fundit i ISHP janë me Covid. Alergjitë e stinës apo elementë të tjerë të infeksioneve pulmorare që vijnë si pasojë e ndryshimit të temperaturave. Infeksionet respiratore janë prezent por në numër të ulët sesa në periudhën kur është piku janar shkurt.", përfundoi Tomini.
Lajmi kryesor:
I nxehtë përvëlues, Tomini për Report TV: Të evitohen daljet në orët e pikut! Kujdes edhe me ndryshimin e temperaturave, ja risqet
Xh.D/r.k./ReportTv.al
