Ashtu si çdo vit, festa e Abaz Aliut mblodhi të premten e 22 gushtit mijëra pelegrinë në Teqenë e Kulmakut në Malin e Tomorit, në lartësinë 2400 metra mbi nivelin e detit.
Dhjetëra mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria e diaspora iu drejtuan vendit që e cilësojnë të shenjtë ashtu siç është bërë tashmë traditë e përvitshme.
Besimtarët ndezin qirinj, luten dhe pranë varrit të Abaz Aliut e në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten e familjen.
Jo pak prej tyre ngrenë çadrat dhe kalojnë natën rrëzë Malit të Tomorit, me besimin që bekimet do t’i kenë edhe më të mëdha.
“Kjo është hera e tretë që vijmë. Ndjejmë kënaqësi dhe qetësi shpirtërore, vend i bukur dhe baba Tomori i ndihmoftë të gjithë. Kemi shumë besim”, thotë një besimtare.
“Vij prej 15 vitesh këtu. I bëjmë të gjitha ritet që duhen. Në Teqe, te varret, Kurbanin, të gjitha. Ne besojmë në këtë vend, prej vitesh, që nga gjyshërit dhe baballarët. Ky vend është mbarësi, është vend i shenjtë”, shprehet një tjetër.
“Unë hera e parë që vij. Kisha dëshirë, më tha edhe vajza që do shkonim dhe u nisëm, erdha. Zoti ju rujt dhe dhëntë jetë e shëndet”, tregon një prej besimtareve.
“Hera e tretë që vij. Erdhëm bëmë adetet tona, u lutëm, therëm kurbanin dhe tani po e pjekim. Zoti i bekoftë të gjithë dhe u dhëntë të gjithë të mirat”, thotë një tjetër.
“Unë vij nga Tepelena. Uroj të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, mbarësi, Zoti i ndihmoftë, i ndihmoftë Baba Ali Tomori. Nuk vij çdo vit, por vij herë pas here”, thotë një tjetër.
“Është hera e parë që vij. Më duket gjë e rrallë, e veçantë, gjë hyjnore dhe që ia vlen vërtetë. Vëmë ritet këtu dhe tani po pjekim mishin. Uroj që besimtarët të kenë fat e mbarësi”, tregon një i ri që ndodhet për herë të parë në Kulmak.
Ky vend për bektashinjtë konsiderohet i shenjtë, pasi prehet shenjtori i familjes së Profetit Muhamed.
Për paqe e begati lutet edhe Baba Mondi, Kryegjyshi botëror i Bektashinjve që ndan publikisht mesazhin e tij.
"Kryegjyshata Botërore, në datat 20-25 Gusht, pret pelegrinë nga Shqipëria dhe nga e gjithë bota në Malin e Tomorit, prandaj janë marrë masat për infrastrukturën, për thertoret që janë të pajisura me frigorifer për të mos u ndotur ambientet në mal dhe janë hapur dy vende të posaçme për të pjekur mish, që njerëzit të mos ndezin zjarr nëpër pyjet përreth, për mos t’i djegur ato, sepse këto kohët e fundit ka pasur shumë zjarre e djegie. Bashkë me policinë, prefekturën dhe bashkitë, kemi punuar pa pushim për mbarëvajtjen e pelegrinëve, që nga rruga poshtë e deri në Malin e Tomorit. Kemi pasur me qindra e mijëra besimtarë, të cilët kanë ardhur, i janë lutur Zotit, kanë bërë kurbanet e tyre dhe unë i falenderoj dhe i bekoj të gjithë ata që kanë ardhur këtu në mal. Jemi kundra dhunës, kundra terrorrizmit, kundra gjithçkaje të keqe që nuk i shërben njeriut", ka thënë Baba Mondi.
Një punëtor i therjes dhe pjekjes së mishit shprehet se këtë vit ka më pak besimtarë, ndoshta edhe për shkak të kohës, pasi vitet e tjera ka pasur më shumë fluks besimtarësh.
“Ka pak mrënie këtë vit, ndoshta ka ndikuar moti i keq, sepse vitet e tjera në këtë periudhë këtu ishte plotë”, shprehet ai.
Pelegrinët e parë fillojnë të ngjisin Malin e Tomorit në datën 18 gusht, ndërsa festa vijon deri në datë 25.
Për mbarëvajtjen e këtij pelegrinazhi 7 ditor si dhe shmangien e aksidenteve drejt zonës që quajtur Kulmaku janë pozicionuar rreth 100 forca policie, stafet mjekësore, ambulanca e zjarrfikëse.
Komente

Si mund te gjeni kenaqesi e qetesi shpirterore pasi keni therrur qengjat e shkrete e te pafajshem?! Si ju ze gjumi naten pasi te keni degjuar ulerimat e tyre kur u prisni me thike gurmazin si terroristet e ISIS-it kur therrnin e u prisnin koken njerezve?! Si mund te flini,nuk ju ze gjaku i tyre?!Ato jane krijesa te Zotit me shpirt si juve,si guxoni dhe i vrisni?! Baba Mondi nese pretendon te jete njeri i Zotit,duhet t'a ndaloje kete masaker te te pafajshmeve.Mekatet mund t'i lash me menyra te tjera,pa u marre shpirtin e pa vrare qingjat.Ju qe e ndjeni veten mekatare mos e zhysni veten me thelle ne mekate duke vrare qengjat e pafajshem per /te lare/ mekatet tuaja,por merrni nje kavanoz duke filluar nga sot e hidhni ne te monedha sa here mendoni qe keni bere mekat,apo keni marre neper kembe emrin e Zotit dhe vitin e ardhshem kur te vije prape kjo feste,ne vend te kurbanit,shkoni ne nje dyqan ku blihet me liste e paguani me ato leke te grumbulluara,me aq sa kini mundesi, borxhet e nevojtareve qe kane emrin ne liste,ose jepjani ato para nje familjeje te varfer t'ua lehtesoni vuajtjet,por mos beni masaker te krijesave te pafajshme,gjaku i tyre therret nga toka.
PërgjigjuBaba mond, lutju zotit te rrisi qengja te tjere per vitin tjeter qe te hash mish ti, dhe po nuk besove se i rrit zoti gjengjat mbaj vete nje tufe dele dhe keshtu ben dhe ndonje pune dhe nuk han qyl si je ber si deputet ne vend qe te merresh me punet e zotit rri gjith diten e ben plane me edi ramen se cfar tokash dhe qengjash do gllaberoni.
Përgjigju