Data 18 gusht shënon nisjen e pelegrinazhit drejt malit të Tomorrit, një mal i konsideruar “i shenjtë", pasi në të prehet shenjtori i familjes së Profetit Muhamed, Abaz Aliu.
Mali i Tomorrit pushtohet gjatë 7-ditëve të pelegrinazhit nga rreth 600 mijë pelegrinë nga Shqipëria, Diaspora dhe mbarë bota, të cilët udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut për të kremtuar festën e Baba Tomorrit, nën ritmet fetare të bektashinjve, pavarësisht besimeve fetare që i përkasin.
Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë, duke kryer jo vetëm kurbanin e festës, por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorrit, i cili ndodhet 2416 metra mbi nivelin e detit. Të parët që janë vendosur në malin e shenjtë të bektashinjve kanë qenë barinjtë e fshatrave të Skraparit, të cilët ofrojnë për pelegrinët kurbanët e festës “qengjat”, që janë dhe personifikimi i kësaj feste të veçantë.
Teqeja e Kulmakut është përgatitur dhe ka hapur dyert për të pritur pelegrinët që bëhen pjesë e kësaj feste, si dhe janë të gjitha marrë masat që në malin e Tomorrit të mos mungojnë çadrat për pelegrinët, banjot, ndriçimi dhe uji i pijshëm. Gjatë 7-ditëve të peligrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut, kryhen ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin falet për shëndet, mirësi e paqe në familjet e tyre. Vetë pelegrinët shprehen se çdo vit bëjnë qindra kilometra për të ardhur e për t’u bërë pjesë e kësaj feste, madje disa prej tyre kthehen kastile nga jashtë vendit për të ardhur në Kulmak.
Siç shprehen edhe vetë ata, pjesëmarrja e tyre në këtë festë të shenjtë është mjaft e rëndësishme, pasi ka sjellë dhe vazhdon të sjellë çdo vit vetëm mirësi në familjet e tyre.
“Kjo është hera e tretë që vijmë. Ndjejmë kënaqësi dhe qetësi shpirtërore, vend i bukur dhe baba Tomorri i ndihmoftë të gjithë. Kemi shumë besim”, thotë një besimtare.
“Vij prej 15 vitesh këtu. I bëjmë të gjitha ritet që duhen. Në Teqe, te varret, Kurbanin, të gjitha. Ne besojmë në këtë vend, prej vitesh, që nga gjyshërit dhe baballarët. Ky vend është mbarësi, është vend i shenjtë”, shprehet një tjetër.
“Unë hera e parë që vij. Kisha dëshirë, më tha edhe vajza që do shkonim dhe u nisëm, erdha. Zoti ju rujt dhe dhëntë jetë e shëndet”, tregon një prej besimtareve.
“Hera e tretë që vij. Erdhëm bëmë adetet tona, u lutëm, therëm kurbanin dhe tani po e pjekim. Zoti i bekoftë të gjithë dhe u dhëntë të gjithë të mirat”, thotë një tjetër.
Baba Mondi është shprehur se për të gjithë besimtarët që kanë ardhur dhe po vazhdojnë të vijnë në malin e Tomorrit, u lutet zotit për mirësi, dashuri dhe paqe në familje, shoqëri e kudo.
"Kryegjyshata Botërore, në datat 20-25 Gusht, pret pelegrinë nga Shqipëria dhe nga e gjithë bota në Malin e Tomorrit, prandaj janë marrë masat për infrastrukturën, për thertoret që janë të pajisura me frigorifer për të mos u ndotur ambientet në mal dhe janë hapur dy vende të posaçme për të pjekur mish, që njerëzit të mos ndezin zjarr nëpër pyjet përreth, për mos t’i djegur ato, sepse këto kohët e fundit ka pasur shumë zjarre e djegie. Bashkë me policinë, prefekturën dhe bashkitë, kemi punuar pa pushim për mbarëvajtjen e pelegrinëve, që nga rruga poshtë e deri në Malin e Tomorrit. Kemi pasur me qindra e mijëra besimtarë, të cilët kanë ardhur, i janë lutur Zotit, kanë bërë kurbanet e tyre dhe unë i falenderoj dhe i bekoj të gjithë ata që kanë ardhur këtu në mal. Jemi kundra dhunës, kundra terrorrizmit, kundra gjithçkaje të keqe që nuk i shërben njeriut", ka thënë Baba Mondi.
Një punëtor i therjes dhe pjekjes së mishit shprehet se këtë vit ka më pak besimtarë, ndoshta edhe për shkak të kohës, pasi vitet e tjera ka pasur më shumë fluks besimtarësh.
“Ka pak mrënie këtë vit, ndoshta ka ndikuar moti i keq, sepse vitet e tjera në këtë periudhë këtu ishte plotë”, shprehet ai.
Kurse shumë të tjerë kanë ardhur edhe nga rrethe të ndryshme të vendit, apo edhe nga jashtë.
“Unë vij nga Tepelena. Uroj të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, mbarësi, Zoti i ndihmoftë, i ndihmoftë Baba Ali Tomorri. Nuk vij çdo vit, por vij herë pas here”, thotë një tjetër.
“Është hera e parë që vij. Më duket gjë e rrallë, e veçantë, gjë hyjnore dhe që ia vlen vërtetë. Vëmë ritet këtu dhe tani po pjekim mishin. Uroj që besimtarët të kenë fat e mbarësi”, tregon një i ri që ndodhet për herë të parë në Kulmak.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti si dhe shmangien e aksidenteve në rruge, Policia Berat ka nisur drejt Kulmakut 100 forca policie që janë shpërndarë për të patrulluar në të gjitha akset rrugore që të çojnë drejt malit, si dhe është hartuar një plan i detajuar masash që do të zbatohet me rigorozitet.
Për këtë pelegrinazh janë angazhuar të gjithë sektorët e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, duke filluar që nga sektori i qarkullimit rrugor e deri tek sektori i Rendit dhe ai i krimeve, ndërkohë që me ta kanë bashkëpunuar edhe bashkitë: Skrapar, Poliçan e Berat, të cialt kanë sjellë në Kulmak stafe mjekësore, ambulanca e zjarrëfikëse.
Ditët e pelegrinazhit në majën e Malit të Tomorrit, në Kulmak, të njohura si ditët e shenjta të bektashinjve, kanë bashkuar çdo vit në Teqenë e Kulmakut rreth 600 mijë pelegrinë nga e gjithë Shqipëria, Diaspora e bota.
Ditët e pelegrinazhit në Malin e Tomorrit përfundojnë në 25 Gusht, por kulmi i kësaj feste është në datën 22 Gusht, që përkoi me ditën e djeshme.
Komente
