Politikë

Toni Gogu përkrah Veliajt në fushatën në Pezë, Vaqarr e Ndroq, thumbon PD:  Ne duam të shërbejmë e të shërojmë,  ata duan të shqyejnë dhe bllokojnë

9 Prill 2021, 13:41| Përditesimi: 9 Prill 2021, 14:03

  • Share

Drejtuesi i fushatës së Partisë Socialiste të Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot në Pezë ku kandidon për deputet Toni Gogu. Gjatë prezantimit në eventin e çeljes së fushatës për Pezën, Ndroqin e Vaqarrin, Veliaj tha se e gjithë lugina e Erzenit ka sot një kandidat që ka bërë shumë për komunitetin dhe më shumë akoma do të bëjë me përfaqësimin e tyre edhe si deputet në parlamentin e ardhshëm.

“Një nga arsyet që jam shumë krenar që Toni është kandidati ynë është se, ai është një njeri që është ftuar të shërbejë, është thirrur të ndihmojë, është thirrur të shërojë. Kemi qenë bashkë për të shpërndarë kuti në çdo cep, aty ku prej karantinës nuk dilnin dot për të marrë ushqime. Kemi qenë këtu për të dhënë karrige me rrota për ata që nuk kishin mundësi të lëviznin prej një sëmundjeje. Kemi qenë këtu për të shtruar në spital dhe për të zgjidhur ato operacione të vështira të anëtarëve tanë të komunitetit. Ky është Toni Gogu, që përfaqëson Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe Edi Ramën këtu në Pezë, në Vaqarr edhe në Ndroq,” u shpreh Veliaj.

Po ashtu, Veliaj nuk la pa "thumbuar" as opozitën.

“Ne e shohim çdo krizë si një mundësi për të shërbyer. Ne e shohim çdo shtëpi të rrënuar si një mundësi për ta rindërtuar. Ne e shohim çdo njeri të sëmurë si një mundësi për ta shëruar. Ne e shohim çdo nevojtar si një mundësi për ta ndihmuar. Ndërkohë, më rezulton se ka dhe të tjerë që çdo krizë në vend që ta shikojnë për të shërbyer e shikojnë për të shqyer, për të përçarë. Kur bie tërmeti, bëhen me tërmetin. Kur bie pandemia, bëhen me virusin. Beteja nuk është mes të majtës dhe të djathtës, por midis atyre që ftohen të shërbejnë dhe atyre që ftohen të na përçajnë dhe ta shqyejnë Shqipërinë, siç e kanë bërë gjithë këto vite,” u shpreh Veliaj.

Gogu deklaroi se kjo qeveri po ia del që të lërë pas dy prej sfidave më të mëdha me të cilat u sprovua në 2 vitet e fundit, atë të pandemisë dhe të rindërtimit pas tërmetit.

“Sot mbi 500 familje në Vaqarr, Pezë dhe Ndroq po rikthehen në shtëpitë e tyre. Sot ne qëndrojmë këtu dhe buzëqeshim, sepse jeta është më e fortë se vdekja. Sot ne jemi këtu për të kujtuar të gjitha ato përpjekje falë të cilave mundëm që t’ia dalim dhe sot të jemi më të fortë se kurrë. Në ditën e fatkeqësisë, në ditën e ligë ne mundëm t’ia dalim dhe ndaj do të vazhdojmë edhe më përpara,” u shpreh kandidati socialist.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?