“A e dinë shqiptarët përse quhen shqiptarë?”. Kjo është një nga pyetjet që ngre studiuesi Tonin Çobani në librin e tij më të ri të titulluar “Tri esetë, Shqiptari i refuzuar si shqiptar, “Dimensioni kulturor i Kanunit, Mitologjia në lahutë”.
Janë tri ese provokuese edhe ndaj qëndrimit të akademikëve përkatësisht tri temave.
“Të tri esetë janë shkruar në kohë të ndryshme. Janë vënë bashkë në këtë botim, sepse trajtojnë probleme të ngjashme. Eseja e parë, “Shqiptari i refuzuar si shqiptar”, shtjellon lidhjen e fjalës Shqipëri (shqiptar dhe gjuhë shqipe) me fjalën rrënjë shqipe\shqiponjë, që në gegërishten e hershme (deri më 1972) vinte me grafinë shqype\shqypja. Eseja e dytë (“Dimensioni kulturor i Kanunit”) ka në fokus një shtjellim disi të thukët për një nga shtyllat më të larta të trashëgimisë sonë kulturore, ashtu si eseja e tretë (“Mitologjia në “Lahutë…”), që vjen si një kontribut origjinal i Gjergj Fishtës për të shpërfaqur mitologjinë shqiptare në letërsinë e kultivuar. Dhe këto shtylla kulturore,ruajtur në gjuhën shqipe, janë tri: (1) Eposi i kreshnikëve, (2) Kanuni i Lekë Dukagjinit (mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi) dhe (3) “Lahuta e Malcis” (1900 - 1937).”, rrëfen Tonin Çobani për “Shqiptarja.com”.
Në esenë “Shqiptari i refuzuar si shqiptar”, Tonin Çobani shkruan se ka dy qëndrime për lidhjet e simbolit të shqiponjës me shqiptarët: “Një palë, kryesisht gjuhëtarë, nuk gjejnë asnjë lidhje të shqiptarëve me shqiponjën e tyre të flamurit. Sipas kësaj pale, fjalët shqiptar dhe Shqipëri vijnë nga ndajfolja shqip (kuptimisht) dhe kjo prej latinishtes excipit-excipere, që do të thotë me folë kuptueshëm, qartë. Një palë tjetër, kryesisht historianë (ose individë që u referohen më tepër argumenteve historike) qysh nga periudha e Rilindjes e, ndoshta, më herët, argumentojnë se shqiptarët e marrin emrin e tyre nga shqypja/shqipja, shpend i shënuar i faunës së trojeve shqiptare dhe simbol i traditave iliro-arbërore.”, shkruan Çobani.
Plutarku i quante shqiptarët shqiponja që nga koha e ilirëve
Në parathënie të librit studiuesi i njohur bën të qartë më parë se asnjëra prej të tri eseve, që po i vihen në dorë lexuesit të sotëm, nuk synon të përmbysë konkluzione shkencore të deritanishme, qofshin ata edhe me mangësi të dukshme. Por ai ndërkohë propozon të shtohen edhe argumente që kanë qenë anashkaluar deri tani, siç shkruan në esenë e parë “Shqiptari i refuzuar si shqiptar”, ku Çobani thotë se “është dukuria e kalimit të zanores Y në I, dhe anasjelltas. Çabej i është shmangur kësaj dukurie, prandaj fjalët shqyp(e) dhe shqip(e) i merr si dy fjalë të ndryshme. Ndërsa studiuesi Kolë Ashta e vë në dyshim dhe nuk e pohon konkluzionin e Çabejt.”.
Ndërsa tërheq vëmendjen me një trajtim të veçantë të temave, Tonin Çobani thotë ndër të tjera se: “Ndoshta ka ardhur koha që Shqipëria të mos thirret më Albania, prej të huajve, por në aktet zyrtare ndërkombëtare të thirret edhe prej të tjerëve Shqipëri. Dhe shqiptarët të ndjehen krenarë për emrin e vet që iu referohet bijve të shqipeve\shqiponjave, ashtu si thuhet për ta në shkrimet e lashta (Plutarku) dhe ashtu si e njeh ai (shqiptari) veten e vet qysh nga koha e ilirëve.”
Eseja e parë shkruhet edhe si një qortim për qëndrimin e akademikëve që i shkojnë përciptas analizës së prejardhjes së emërtimit që mbartin shqiptarët e sotëm.
“Akademikët e sotëm, që nuk janë një, por shumë palë, heshtin për shpjegimin e parë, duke e pranuar kështu se Shqipëria dhe shqiptarët kanë mbirë nga ndajfolja shqip. Dhe, kur këta akademikë e hapin gojën, gjë që e bëjnë vetëm për argumentin e dytë, shqiptojnë togfjalëshin argumentim folklorik, duke këmbëngulur se shqipja (shqiponja) s’ka fare lidhje me Shqipërinë e shqiptarët. Lidhja me shqiponjën/shkabën e grupit të fjalëve Shqipëri, shqiptar dhe shqipe (gjuhë shqipe) është veçse produkt i ndjenjave patriotike a atdhetare të shqiptarëve të sotëm. U thotë mendja atyre se patriotizmi dhe atdhedashuria nuk qenkan ndjeshmëri, por formulime akademike.”, shkruan Tonin Çobani.
Në esenë e dytë, “Dimensioni kulturor i Kanunit”, ritheksohet fakti se:
“Kanuni i Lekë Dukagjinit” është një vepër unikale me frymë humaniste e periudhës së Rilindjes Evropiane në gjuhën shqipe të folur, i cili (Kanuni), megjithëse u përfol (dhe vazhdon të përflitet edhe sot e kësaj dite), është vlerësuar nga studiues seriozë, vendas dhe të huaj, si një “vepër monumentale”(A.Buda), “kontribut në thesarin e kulturës botërore”(C. Von Schëerin) dhe autori i saj, Lekë Dukagjini, është cilësuar “një personalitet imponues”(E.Durham) e “Hero Kombëtar”(J.Hahn) i popullit të vet.
Jo pak interesante është edhe eseja e tretë, e cila rreh një temë aktuale...
Eposi i Kreshnikëve dhe Lahuta që interpreton këtë epos nuk arritën të regjistrohen në UNESCO dhe paradoksailisht lahuta serbe regjistrohet, ndërsa origjinaliteti i saj prej fillimshekullit ka qenë i diskutueshëm krahasimisht me lahutën shqiptare.
Tonin Çobani në libër i mëshon një rishikimi të prejardhjes së fjalës shqiptar. Ndërsa sjell në kujtesën tonë ironinë e Faik Konicës që është shprehur se “Shqipëria barazohet me Kuptonjëria”, Tonin Çobani shkruan se:
”Deri vonë, lidhja e vetme në mes të shqiptarëve dhe të shqiponjës së flamurit të tyre ka qenë epoka e Skënderbeut. Me pas u zbulua se ajo shqiponjë e Skënderbeut trashëgohej nga stema e shtetit të Arbërit, por, edhe me herët, nga Pirrua i Epirit. Pashko Vasa tek eseja e tij “E vërteta mbi Shqypninë dhe shqyptarët”(1879) pohon se populli shqiptar e njeh vetën me emrin shqyptar qysh kur Pirua i Epirit, sipas Plutarkut ( 46-120 e.r), u quajt shqiponjë dhe luftëtarët e tij iliro-epirotas, krahët e shqipes.
Plutarku te “Jetë paralele” .
“Pas betejës që bëri me maqedonasit Pirroja u kthye në Epir krenar e plot famë. Epirotët e pritën duke e përshëndetur me emrin “Shqiponjë”. “Jam shqiponjë, me ndihmën tuaj; si të mos jem shqiponjë, unë që ngrihem lart me armët tuaja që janë porsi pendë të shpejta”.
Doli dhe nje shpikes
PërgjigjuSukse autorit,qe ka qene profesorim im ne gjimnaz!
PërgjigjuAlbanët janë një nga popujt ilirë të Shqipërisë qëndrore me kryeqytetin e tyre të lavdishëm A l b a n ó p o l i n. Ky le të grijë sallatë!
Përgjigju