Ngjarjet e fundit kriminale, por edhe operacionet policore, kanë qenë zhvillime që kanë shkaktuar reagime dhe diskutime në opinionin publik dhe jo vetëm.
Këto tematika, veçanërisht ngjarjet në Shkodër, u analizuan edhe në “Studio Live” ditën e sotme, me të ftuarit e moderatorit Arbër Hitaj.
Gazetarja Aida Topalli dha detaje në ‘Report Tv” për operacionin e fundit të RENEA-s ndaj fiseve Bajri dhe Prendi në Shkodër, në lidhje me përplasjen e armatosur në Bushat vitin e kaluar, pas prishjes së pazareve të drogës.
“Vijon operacioni i Policisë në Shkodër për masakrën e Dobracit. RENEA është te banesa e Aleksandër Prendit për hetime dhe kontrolle, lidhur me një atentat në zonën e “Gurit të Zi”, ku kemi pasur përplasje mes fisit Prendi dhe anëtarëve të fisit Bajri. Deri tani nuk është bërë i mundur arrestimi i Prendit, por kërkimet vazhdojnë. Edhe dje u zbarkua në Kiras e Dobraç, apo në “Guri i Zi”, ku janë ushtruar kontrolle në banesat e fisit Bajri, anëtarëve të grupit si dhe banesat e fisit Lici. Këto për ngjarjen e ndodhur në Bushat më 2024, përplasja me armë mes grupeve Bajri-Prendi dhe SPAK e ka zbardhur. Nuk është bërë e mundur që nga kontrollet të gjendet në banesë Safet Bajri dhe anëtarë të tjerë, për përplasjen e armatosur mes fiseve në Bushat. Burimet thonë se shkak ka qenë mosdërgesa në destinacion e një dërgese droge nga fisi Prendi dhe kërkesa e llogarisë nga pala tjetër e Bajrit, pasi është pretenduar edhe kthimi i parave të dyshuara si të humbura apo të vjedhura. Kemi të bëjmë me konflikt të nisur për trafikun e drogës dhe jo për hakmarrje. Në përplasjen e Dobraçit Prokuroria ka prova se ka pasur përplasje mes fiseve Bajri dhe Lici, ku pati edhe 4 të vrarë”, shpjegoi ajo detajet e operacionit.
Kurse avokati Edmond Petraj tha se Shkodra po kalon në skaner për grupet kriminale.
“Shkodra do pastrohet nga bastionet e krimit, do skanohet, po bëhen operacione të shumta. Mendoj se Policia e Shkodrës dhe SPAK e ka bërë një skaner dhe zbardhjen e ngjarjeve ndaj kemi edhe operacione për arrestimin e tyre. Shkodra do skanohet për eliminimin e grupeve kriminale”, tha ai.
Në lidhje me ngjarjen tragjike të ditës së djeshme, ku i dashuri Kol Manaj plagosi rëndë bashkëjetuesen Anila Prendushi (Ndoka) dhe vrau veten me armë pas konflikteve në çift, pikërisht këto të fundit dhe kërkesa për ndarje e të plagosurës janë bërë shkak për krimin e dyfishtë.
“Sipas dëshmive të të afërmve çifti kohët e fundit kishte konflikte të shumta. Autori nuk pranonte të ndahej, ajo i kërkonte që të ndërpritej lidhjen. Madje autori (Kol Manaj) i ka dërguar mesazh se do vriste veten dhe kjo ka detyruar që bashkëjetuesja (Anila Prendushi) të zbriste dhe të shkonte te makina dhe kur është futur në makinë ka ndodhur ngjarja. Ajo është në gjendje të rëndë dhe shpresojmë e urojmë që të shpëtojë, pasi është nënë e 3 fëmijëve”, tha Topalli.
Ndërsa avokati Petraj kërkoi aksione më të shpeshta dhe skaner ndaj të gjithë personave të armatosur.
“Kjo ngre edhe dyshime duke marrë shkas nga ngjarja e ndjeshme, se si një person që nuk ka dhënë asnjë shenjë, mban armë dhe shkakton ngjarjen. Policia e Shkodrës duhet ta kalojë në skaner, lëvizin persona të armatosur”, tha ai.
Gazetarja Topalli foli edhe për aplikacionet e koduara që përdorin grupet kriminale, hetimet e SPAK dhe çfarë pritet nga zbërthimi i ‘Matrix’.
“Po shohim se pothuajse në qarqet e mëdha, po goditen grupet e mëdha kriminale. Për herë të parë u godit edhe linja Vlorë-Fier e trafiqeve dhe aktiviteti kriminal. Mezi pres informacionet e aplikacionit Matrix në shqip, për të parë sa është përdorur në zemër dhe jug të Shqipërisë, pasi do zbardhen edhe shumë krime”, zbuloi ajo detaje hetimi.
Avokati Petraj vijoi mendimin duke thënë se:
“Mendoj se operacionet do vazhdojnë edhe më tej”.
Një nga temat e diskutuara ishte edhe misteri për fatin e Ervis Martinajt, ‘mbretit të kumarit’ i zhdukur pa gjurmë që prej 8 Gushtit 2022.
“Fati i Ervis Martinaj do mbetet një mister që nuk e di nëse do zgjidhet ndonjëherë. Se çfarë e bën mister fatin e tij, kjo ha diskutim. Por e vështirë për t’u zbardhur nga ana e institucioneve. Nëse ai nuk është gjallë, pa u gjendur kufoma, nuk do ketë zbardhje kurrë të saj dhe s’mund të jepet përgjigje zyrtare. Nëse është ekzekutuar dhe zhdukur, kjo si version, do jetë e vështirë edhe për t’u zbuluar”, tha Topalli.
Kurse avokati Petraj shpjegoi se sipas procedurave, nëse pas 5 vitesh personi nuk gjendet, ai hiqet fare nga regjistrat dhe figuron i vdekur.
“Për 5 vite fshihet nga regjistrat shqiptar sipas ligjit. Ka afate kohore, procedura dhe veprime. Janë bërë denoncimet e humbjes nga familja në Kurbin, kanë nisur hetimet dhe është në procedurë, por ka afate. Pra dy gjëra ka, ose është gjallë dhe e dinë, kanë burimet e tyre. Ose është i vdekur. Situatë kontradiktore, ligji e parashikon, duhet të shpallet i vdekur pasi kështu është procedura, besoj edhe për 3 vjet, nëse nuk ka informacione të reja”, shpjegon anën ligjore avokati.
Komente
