Jozefina Topalli, drejtuesja politike e PD-së për diasporën

Politikë

Topalli: Votat nga Greqia po dorëzohen dorazi në KQZ! Ky është krim elektoral, manipulim i hapur nga pushteti në Tiranë

9 Maj, 13:16| Përditesimi: 9 Maj, 14:03

  • Share

Drejtuesja politike e PD-së për diasporën Jozefina Topalli në një deklaratë për mediat ka denoncuar një manipulim që sipas saj, po ndodh me procesin e votimit nga jashtë vendit, konkretisht nga Greqia.

Ditën e sotme Topalli deklaron se ka ndodhur edhe ajo që për të  ‘nuk imagjinohej’, sipas saj janë dorëzuar dorazi në KQZ zarfet e votimeve në Greqi dhe sipas saj ky është manipulim dhe krim elektoral. Nga ana tjetër sipas Topallit, vetëm në tre ditë janë shtuar mbi 22 mijë vota, ndërkohë që për tri javë me radhë nga e gjithë diaspora, përfshirë edhe Greqinë, kishin ardhur vetëm 17 mijë vota.

“Ky është një manipulim i pastër dhe një krim elektoral. Kjo nuk është më votë, por anulim i ligjit dhe zgjedhjeve të lira. Nuk mund të pranohen kutitë që vijnë me dorë në KQZ sikur jemi në treg jo në një proces shtetëror,” -thotë Topalli në deklaratën e saj.

Ajo thotë gjithashtu në deklaratën e saj se ka raste të shumta kur zarfi i votimit nuk ka mbërritur në adresat e qytetarëve, ose është shpërndarë në lokale lojërash fati, apo është marrë nga persona të tretë dhe është plotësuar në mënyrë të paligjshme, duke ngritur dyshime serioze për vjedhje masive të votës nga strukturat e pushtetit në Greqi.

Topalli shton se rikthimi i shërbimit të postës, që më parë administrohej nga DHL sipas kontratës, tashmë është kthyer në një mjet në duart e strukturave të Partisë Socialiste, duke kompromentuar gjithë procesin e votimit nga jashtë.

Deklarata e plotë e Jozefina Topallit:

Orët e fundit në dispozicion për të gjithë ata që nuk kanë patur mundësi të kryejnë procesin, ta mbyllin ndërkohë. Ftojmë çdo shqiptar tjetër që nuk janë regjistruar, të bëjnë edhe sakrificën e fundit, nëse kanë mundësi të vijnë në Shqipëri e të votojnë të dielën, për të qenë pjesëtar të rëndësishëm, që do jetë 11 maji Thënë këtë, dua të shtoj edhe sot në vazhdim të deklaratave dhe denoncimeve që kemi bërë për rastin e procesit zgjedhor në Greqi, shtohen shqetësimet nga mënyra e procedimit në Greqi. Sot ka ndodhur edhe ajo që ne nuk e imagjinonim, që të dorëzohen edhe zarfet me dorë në KQZ. Do të përsërisim edhe njëherë kërkesën për shqetësimin tonë serioze dhe të thellë, që po ndodh në procesin e zgjedhjeve në territorin e Greqisë. Të ndalohet menjëherë dorëzimi i zarfeve në dorë në KQZ. Të ndahet dhe të trajtohet në mënyrë krejt të veçantë, kutitë që vijnë nga Greqia nga kutitë që vijnë nga Italia. Të bëhet auditimi i të gjitha rasteve të kutive të dërguara, për mënyrën se si është bërë procesi i votimit, për mënyrën e sjelljes këtu dhe një analizë e kutive të votimit, që kanë sjellë një anomali që është e pashpjegueshme, në mënyrën e ardhjes së votave këtu. Nëse për 3 javë rresht nga të gjitha vendet e tjera, kanë ardhur proporcionalisht, normale votat dhe për Greqinë, kishin ardhur vetëm 17 mijë vota, vetëm në 3 ditët e fundit janë shtuar 22 mijë vota. Pra është një anomali, por është një derivat i të gjitha thyerjeve që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe në Greqi. Nëse do të vazhdojmë të dorëzojmë zarfin në dorë, kjo nuk është votë, por kjo është anulim i zbatimit të kodit zgjedhor, dhe është krim elektoral. Nëse kutitë vijnë të mbushura, ndërkohë që shqiptarët që jetojnë në Greqi, nuk kanë votuar se, zarfi nuk i ka ardhur në shtëpi, se zarfin nuk e kanë gjetur tek lokali i lojërave të fatit, apo sepse atë e ka marrë dikush tjetër dhe e ka plotësuar, sigurisht që kjo e ka emrin manipulim dhe jo zgjedhje. Ndaj KQZ duhet të bëjë trajtimin tërësisht të veçantë të kutive që vijnë nga Greqia dhe të ndalin dorëzimin e zarfeve dorazi. Dje kemi dorëzuar në KQZ kërkesën për këto shqetësime shumë të thella dhe për këto krime elektorale. Kthimi i shërbimit sipas kontratës të DHL-së, në shërbim të ofruar tashmë nga strukturat e PS-së dhe pushtetit në Tiranë, është papranueshme dhe nxjerr jashtë loje të gjithë procesin që ka ndodhur andej.

H.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, si ju është dukur fushata zgjedhore?