Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli, ishte sot e pranishme në Fier, ku prezantoi kandidatët për deputet të kësaj force politike në këtë qark.
Në fjalën e saj, Topalli tha se 25 prilli do të jetë votë ndëshkimi për krerët e partive kryesore në vend, duke përmendur Edi Ramën, Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin dhe Presidentin Ilir Meta.
Ajo i bëri thirrje qytetarëve se kush do ndryshim, duhet që më 25 prill të votojë kundër liderëve të sipërpërmendur.
"Ekipi ynë përbëhet nga 60% të rinj dhe 50% gra. 25 prilli do të jetë votë ndëshkimi ndaj Ramës, Bashës, Monikës e Metës. Kush do ndryshim, të hedhë votën më 25 prill kundër tyre. Mendoni për fëmijët tuaj, të ardhmen tuaj, do keni një realitet të ri me 26 prill", tha Topalli.
E pyetur nëse do të bashkëpunojë me ndonjë nga partitë kryesore në vend pas zgjedhjeve, Topalli tha se do të bashkëpunonte me partitë, por jo me 3 kryetarët e tanishëm, Lulzim Bashën, Edi Ramën dhe Monika Kryemadhin.