Topollaj në Report: ‘Bindja Demokratike’ s’garon për kryetar Bashkie në 14 maj, por mbështesim kandidatët e opozitës! Përçarja e PD do sjellë rezultat zhgënjyes

1 Nëntor 2022, 19:51| Përditesimi: 1 Nëntor 2022, 20:52

  • Share

TIRANË- “Bindja Demokratike” do të dalë e vetme në zgjedhjet vendore të 14 majit, mirëpo synimi nuk është marrja e drejtimit të një kryetari Bashkie, por do të “luftojë” për Këshillat Bashkiak. Koordinatori i kësaj force politike, Fabjan Topollaj i ftuar në Report Tv, në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, tha se në 14 maj do i bëjnë thirrje elektoratit të tyre që të votojnë për kandidatët e opozitës. Në kushtet kur opozita ka dështuar që të dalë me një emër të përbashkët, Topollaj theksoi se do ia lënë në dorë votuesve që të zgjedhin se cilin kandidat të mendojnë se është më i miri, i grupit të Sali Berishës ose i Enkelejd Alibeajt.

“Bindja Demokratike nuk do nxjerrë kandidat për Kryetar Bashki që të mos perceptohet ideja se po favorizojmë Ramën. Sa i përket Këshillave bashkiak, kjo është e vetmja mënyrë për të pasur përfaqësim, nuk ka koalicione as në zgjedhjet lokale, se në vetvete është çmenduri. Do nxjerrim listën tonë të këshilltarëve, ndërsa ne do iu bëjmë thirrje votuesve tanë që të mbështesin kandidat e opozitës, ne do donim që të dilnin me një kandidat të vetëm. E vetmja që kemi ne në dorë, u themi votoni kandidatin më të mirë të opozitës”, tha Topollaj.

Ndalur te zhvillimi më i fundit, mos arritja e një marrëveshjeje mes 2 palëve në PD, Topollaj tha se opsioni më i mirë është që ata të ndahen përfundimisht dhe të profilizohen, pasi është i bindur se ajo “betejë” është luftë për interesa personale.

“Ndarja është opsioni më i mirë, të profilizohen! (...)Të dyja palët po luftojnë për interesa personale, nuk jemi me asnjërin prej tyre, kundërshtari ynë është qeveria, prandaj do bëjmë thirrje për kandidatin e opozitës”, shtoi ai në Report Tv.

Kjo ndarje, për Topollajn kjo përçarje do të përkeqësoj rezultatin e opozitës në zgjedhjet e 14 majit.  

“Ndarja e PD do e përkeqësoj rezultatin e saj, nëse opozita u fut e sapo ndarë shija që kishte lënë në publik ishte ende e freskët. Rezultati i opozitës në tërësi të jetë zhgënjyes, më i dobët se në 6 mars”, tha ai.

E vetmja shpresë për koordinatorin e ‘Bindjes’ është sinjali që shqiptarët mund të japin që të votojnë alternativa të reja opozitare, përfshirë këtu edhe partitë e vogla.

Lajmi në web u përgatit nga gazetarja e Shqiptarja.com, Brunilda Kazani

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?