Tortë mimoza nga zonja Albana

8 Mars 2022, 13:39| Përditesimi: 8 Mars 2022, 13:41

  • Share

Tortë mimoza

Përbërësit:

130 gr miell

110 gr niseshte

240 gr sheqer

1 bustinë vanilje

8 vezë

Pak kripë

Lëkurë limoni

Kremi i pastiçerisë:

170 gr sheqer

5 të verdha vezësh

500 ml qumësht

50 gr niseshte misri

1 bustinë vanilje

120 ml pana

Sherbeti:

140 ml ujë

80 gr sheqer

Përgatitja:

Në një ene rrahim vezët për rreth 20 minuta. Më pas shtojmë sheqerin dhe kripën dhe e rrahim derisa të rritet volumi i vezëve.

Sitim miellin dhe niseshten dhe e shtojmë tek ena ku kemi rrahur vezët me sheqerin. E trazojmë lehtë me telin e kuzhinës në mënyrë që të mos ulet vëllimi. Në fund fare shtojmë lëkurën e grirë të nje limoni.

Lyejmë një tavë me pak gjalpë, e spërkasim me pak miell dhe më pas shtojmë masën e brumit. E vendosim të piqet në furrë në temperaturën 180 gradë Celsius për 25-30 minuta.

Ndërkohë përgatisim kremin. Rrahim të verdhat e vezëve bashkë me sheqerin derisa sheqeri të tretet. Në një enë të vogël me qumësht tresim niseshten dhe vaniljen dhe e shtojmë tek vezët. Vendosim qumështin të ngrohet në zjarr të ulur dhe sapo qumështi të vaket pak shtojmë vezët dhe e trazojmë derisa kremi të lidhet. E lemë kremin të ftohet plotësisht. Rrahim panën në marengë të fortë dhe pasi kremi të jete ftohur shtojmë ½ e marengës.

Pandispanjën pasi të jete pjekur e lemë të ftohet dhe më pas e presim horizontalisht. Sherbetin pasi e kemi vluar për 5 minuta e hedhim mbi bazën e pandispanjës. Pjesën tjetër të prerë e presim në kubikë të vegjël ose e thërrmojmë me duar për të krijuar idenë e mimozave.

Mbi bazën e padispanjës vendosim kremin e pasticerisë, e nivelojmë mirë dhe më pas vendosim pjesën e marengës. Sipër e dekorojmë me pandispanjën e thërrmuar.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?