Przemyslaw Jeziorski

Bota

Tradhti, xhelozi dhe beteja ligjore për fëmijët! Historia e vrasjes së profesorit amerikan në Athinë

20 Korrik, 21:32| Përditesimi: 20 Korrik, 21:37

  • Share

Një histori e dhimbshme me elemente tradhtie, xhelozie dhe betejash ligjore ka tronditur Greqinë dhe Shtetet e Bashkuara, pas vrasjes së një profesori të njohur në Athinë. Przemyslaë Jeziorski, 43 vjeç, profesor i marketingut në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, u vra me armë zjarri më 4 korrik, ndërsa po shkonte për të marrë fëmijët e tij. Sipas hetimeve të policisë greke, vrasja lidhet me një betejë të ashpër për kujdestarinë e fëmijëve.

Vrasja ndodhi në periferi të Athinës, në një lagje zakonisht të qetë. Jeziorski u qëllua disa herë nga afër dhe vdiq në vendngjarje, ndërsa autori i maskuar u largua me shpejtësi. Pas një hetimi 12-ditor, policia arrestoi partnerin e ri të ish-gruas së viktimës, i cili pretendoi se e kreu krimin për të parandaluar profesorin që t’i merrte fëmijët. “E bëra të gjithën për [të] dhe fëmijët tanë, në mënyrë që të kishim një jetë normale pa probleme”, citohet ai në rrëfimin e tij për policinë.

Beteja për kujdestarinë dhe rrëfimet kontradiktore

Przemyslaë Jeziorski, me origjinë nga Polonia, dhe ish-gruaja e tij, një shtetase greke, ishin përfshirë në një betejë ligjore për kujdestarinë e fëmijëve të tyre binjakë 10-vjeçarë, të cilët jetonin me nënën e tyre në Greqi. Një ditë para vrasjes, një vendim gjykate i kishte dhënë Jeziorskit të drejtën për t’i marrë fëmijët për një muaj.

Rrëfimi i autorit të dyshuar detajon se ai bleu armën e krimit dhe mori ndihmën e katër bashkëpunëtorëve të tjerë – një bullgar, dy shqiptarë dhe një tjetër person – për ta kërcënuar viktimën. Megjithatë, njëri prej bashkëpunëtorëve ka dhënë një dëshmi kontradiktore, duke pretenduar se ishte ish-gruaja e Jeziorskit ajo që e kishte “organizuar të gjithë ngjarjen”.

Ndërsa i dyshuari kryesor pretendon se partnerja e tij nuk kishte dijeni për planin, policia greke e ka akuzuar ish-gruan për bashkëpunëtore morale, akuzë që ajo e mohon. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike për shkak të ligjeve greke.

Reagimi i familjes dhe hapat e ardhshëm

Familja e Jeziorskit është shprehur e shkatërruar, por mirënjohëse ndaj policisë greke për arrestimet. Vëllai i viktimës ka theksuar se shqetësimi kryesor mbetet siguria dhe mirëqenia e fëmijëve, të cilët ndodhen nën kujdestari në Greqi. Familja ka nisur një fushatë online për mbledhje fondesh, me qëllim riatdhesimin e eshtrave të profesorit në Poloni dhe mbulimin e shpenzimeve ligjore.

Të pesë të akuzuarit pritet të paraqiten në gjykatë për të dëshmuar, ku do të vendoset nëse do të mbahen në paraburgim në pritje të gjyqit. Ky rast i pazakontë, me dëshmi kontradiktore dhe implikime të rënda familjare, pritet të shënojë një nga gjyqet me profilin më të lartë në Greqi./CNN

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si po menaxhohet situata me zjarret?