Sociale

Tradita që sfidon kohën/ Familja Mato hap dyert për Report Tv: Çfarë gatuajmë për Ditën e Ujit të Bekuar! Ritet e zakonet ndër breza

6 Janar, 19:06| Përditesimi: 6 Janar, 19:09

  • Share

Dita e Ujit të Bekuar ka një shije të veçantë në familjen Mato. Ish-punonjësja e bibliotekës, sot në pension, Margarita Mato, tregon për shikuesit e Report TV se si kanë ruajtur traditën ndër breza.

75-vjeçaren e gjejmë duke gatuar, ndërsa bashkëshorti i saj, Jovan Mato, 82 vjeç, ish-rrobaqepës, sapo është kthyer nga ceremonia e hedhjes së kryqit. Në shtëpi ka sjellë ujin e bekuar, ndërsa dekorit festiv nuk i mungojnë qirinjtë.

Margarita përgatit gatimet tradicionale, ndër to petullat e fshira, ëmbëlsirat dhe kulaçin. Sipas zakonit, në shtëpi nuk mungon vera.

Jovani kujton kohën e rinisë, kur kremtonin fshehurazi Ditën e Ujit të Bekuar, pasi feja deri në vitin 1990 ishte e ndaluar. Margarita, nga ana tjetër, shprehet se në ditët e sotme vizitat janë rralluar dhe në festë merr pjesë vetëm rrethi i ngushtë familjar.

Pogradecarët, pas hedhjes së kryqit në ujërat e akullta të liqenit të Ohrit, mblidhen gjithnjë për të festuar në familje këtë ditë të veçantë të besimit ortodoks.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?