Tradita e petullave të karnavaleve është sjellë mjeshtërisht në pedonalen e Shkodrës nga Mrizi i Zanave, duke i dhënë qytetit një atmosferë festive dhe plot shije. Altin Prenga u shpreh se është bashkuar me kënaqësi kësaj feste, e cila ka sfiduar zymtësinë e këtyre ditëve, duke sjellë gjallëri dhe gëzim për qytetarët.
“Na ka pëlqyer shumë sepse mendoj se është momenti pak më gri i vitit ku nuk ka dalë akoma pranvera, njerëzit janë shterrë nga energjitë edhe të festave dimërore kështu që është një moment shumë delikat edhe mendoj se karnevalet me ngjyrat e tyre dhe fakti që bëhet në festë në një moment të tillë janë një start pozitiv për të bërë të mundur që njerëzit të jenë më optimistë, më pozitivë”, shprehet Altin Prenga, Sipërmarrës i agroturizmit “Mrizi i Zanave”.
Ndërkohë, Bashkia Shkodër ka kthyer hollin e saj në një hapësirë kreative për fëmijët. Për Kllounin Erind, kjo ka qenë një nismë e mrekullueshme, pasi të vegjlit po shijojnë maksimalisht karnavalet përmes lojërave dhe ndërveprimit.
“Kjo mund të them ishte një nga idetë më të bukura për këtë vit për realizimin e karnavaleve. Një ambient mjaft i bukur për të gjithë kalamajtë, nga moshat më të vogla deri tek moshat pak më të mëdhaja. Hapësira është e mjaftueshme për të luajtur, për të bërë aktivitete nga më të ndryshme”, u shpreh Erindi, animator.
Nga ana tjetër, qytetarët kanë shijuar edhe spektaklin e ofruar nga Mapin, një koncept inovativ që ka veshur institucionet e qytetit me ngjyra dhe drita, duke e bërë festën edhe më magjike.
Karnavalet, një traditë e lashtë në Shkodër do të vazhdojë deri të dielën e 23 shkurtit. Gjatë kësaj feste janë shumë interesante maskat e bukura veneciane, të cilat prodhohen në mënyrë artizanale në kryeqendrën e kulturës e traditës.
Komente
