KORÇË- Dy shtetas maqedonas janë arrestuar në Qafë Thanë, me qëllim ekstradimi pasi janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet austriake dhe sllovene.
Policia kufitare ka ndaluar një 53 vjeçar me iniciale R. D., për veprën penale "Trafik droge" dhe një 39-vjeçar me iniciale S. R., për "Mashtrim kundër qeverisë".
Gjatë përpunimit të dokumentacionit të tyre në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare, konstatuan se Gjykata Austriake kishte caktuar ndaj 53 vjeçarit, banues në Stërmnicë, Tetovë, masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Trafik droge" për të cilën bazuar në Kodin Penal Austriak parashikohet dënimi deri në 15 vite burg.
Gjithashtu edhe 39 vjeçari S. R., banues në Labunishta të Strugës, rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Koper, Slloveni kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprën penale "Mashtrim kundër qeverisë", për të cilën bazuar në Kodin Penal Slloven parashikohet dënimi deri në 8 vite burg.
Materialet në ngarkim të tyre iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë 51-vjeçari Anton Kola, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe është arrestuar ditën e sotme në qytetin e Lezhës, pasi Gjykata e Milanos, Itali, në mars 2011, e ka dënuar me 6 vite e 10 muaj burgim , për veprën penale"Trafikim i lëndëve narkotike". Kola pritet të ekstradohet në Itali.