Tiranë- Policia e Shtetit dhe Interpol Tirana kanë dorëzuar nën pranga 3 persona të kërkuar nga Italia për krime të ndryshme.
Operacioni i ekstradimeve është konfirmuar ditën e sotme (29 maj), duke dhënë edhe detajet për 3 personat e “implikuar në veprimtari në fushën e narkotikëve, individualisht ose si pjesë e organizatave kriminale”.
Aksioni u krye në bashkëpunim me Interpol Romën për të kërkuarit ndërkombëtarë.
I pari u ekstradua Albert Koni, 51 vjeç, pasi Gjykata e Torinos në vitin 2025, e ka dënuar me rreth 4 vjet e gjysmë burgim, për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë vitit 2017, ai ka shitur lëndë narkotike kokainë, në ambiente publike, në zonat Arona dhe Novara.
Kurse R. A., 21 vjeç, Gjykata e Milanos në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale. Ai akuzohet se gjatë periudhës 2022-2024, ka qenë pjesë e një organizate kriminale që ka trafikuar në Milano, sasi të mëdha lëndësh narkotike.
I fundit u ekstradua A. F., 39 vjeç, pasi Gjykata e Gjenovas, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, sepse akuzohet në kuadër të operacionit “COOK 2020” të Policisë italiane, për trafikim të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje, të kryera në kuadrin e organizatës kriminale.
Komente
