Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dwnuar me burg Flori Palin dhe Fredi Palin, të akuzuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal me veprimtari në Shqipëri dhe Norvegji.
Sipas vendimit nr. 35, Gjykata shpalli fajtor Flori Palin dhe e dënoi me 11 vjet burg për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë “Prodhimin dhe shitjen e narkotikëve”, “Trafikimin e narkotikëve”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale”, “Krijimin dhe drejtimin e një grupi të strukturuar kriminal” si dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale”. Pasi përfitoi ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 11 vjet heqje lirie.
Fredi Pali u dënua me 6 vjet e 8 muaj burg për “Pastrimin e produkteve të veprës penale”, “Pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale”. Edhe për të u aplikua ulja e dënimit për shkak të procedurës së shkurtuar.
Gjykata urdhëroi konfiskimin e disa pasurive materiale në favor të shtetit, përfshirë tre aparate celularë, një automjet tip “Daimler Chrysler A200CDI” të prodhuar në vitin 1992 në pronësi të Fredi Palit, si dhe një sipërfaqe toke prej 1874 m² në Ishull Shëngjin në pronësi të Flori Palit, të cilat ishin të sekuestruara më parë me masë parandaluese.
Po ashtu, në vijim të procedimit pasuror nr. 3 të vitit 2022, më 13 maj 2025, Gjykata e Posaçme vendosi konfiskimin e pasurive të tjera në zotërim të tërthortë të Flori Palit dhe vëllezërve Pali, përfshirë dy apartamente në zonën e Kopshtit Zoologjik në Tiranë, si dhe një autoveturë “Mercedes Benz E 220 CDI” e prodhuar në vitin 2012.
Në të njëjtën çështje penale, më 21 nëntor 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit kishte dënuar përfundimisht me 6 vjet e 8 muaj burgim shtetasen Anita Adilaj, për përfshirje në tregtinë e drogës dhe pastrimin e parave në Norvegji, në bashkëpunim me partnerin e saj Halit Xhini, i dënuar më parë në Norvegji.
Adilaj luajti rolin e “llogaritares” së aktivitetit kriminal, duke mbajtur regjistrat e parave që i dërgoheshin Flori Palit dhe duke mbikëqyrur flukset financiare ilegale.
Komente
