Foto ilustruese

Kronikë

Trafik droge e grup i strukturuar kriminal, GJKKO dënon me 12 vite burg Emiljan Burbën, mikun e Aldo Bares

24 Shtator, 13:55| Përditesimi: 24 Shtator, 14:07

  • Share

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 12 vite burg Emiljan Bubën i akuzuar për veprat penale “Trafikimit të lëndëve narkotike” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Elsa Ulliri dhe Erjon Çela.

Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, Emiljan Burba do të qëndrojë pas hekurave vetëm 8 vite.

Emiljan Burba, akuzohet për trafikimin e rreth gjysmë toni drogë hashash me kamion paletash druri industrial drejt Austrisë, rast i goditur nga Policia Kufitare e Shkodrës dhe Antidroga në muajin shtator të vitit 2023.

Gjithashtu ai njihet dhe si miku i Aldo Bares (drejtues i Bandës së Lushnjës, i burgosur) ndërsa iu konfiskuan dy resorte në vlerë 3 mln euro pak kohë më parë nga SPAK. Resortet e konfiskuara dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e Burbës, që ka qenë i dënuar në Itali më 2014 me 21 vite burg për trafik droge dhe ky rezulton se është precedenti i dytë i tij.

Operacioni për kapjen e ngarkesës prej 442.084 kg hashash u zhvillua më 17.09.2023 rreth orës 00:30 në pikën e kalimit të Hanit të Hotit në hyrje të Malit të Zi. Kjo ngarkesë u zbulua gjatë kontrollit të një mjeti motorik të tonazhit të rëndë të markës “Renault” me targa AB948IX dhe rimorkion e markës “Krone”, me targa AJR363, të drejtuar nga shtetasi Ilirjan Orhan dhe me pasagjer Kristi Orhan.

Këta dy persona, të cilët u arrestuan në flagrancë, ransportonin paleta për në Republikën e Austrisë dhe brenda tyre ishin fshehur 73 pako të mëdha PVC (Polivinil Kloruri) dhe 112 pako më të vogla, te mbështjella me natriban, sqarohet në dosjen hetimore të SPAK.

Hetimet treguan se skema e përdorur për trafikimin e narkotikëve bëhej përmes krijimit dhe regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) të disa subjekteve tregtare fiktive (pa aktivitet tregtar, adresë reale dhe me dokumente të falsifikuara), në emër të të cilëve lëshoheshin faturat e eksportimit të mallrave që ngarkoheshin më pas në mjete transporti, të regjistruar me dokumente të falsifikuara, ku fshihej lënda narkotike, me qëllim trafikimin. Kjo skemë tregonte një shkallë të lartë organizimi, e sofistikuar dhe tipike për një grup të strukturuar kriminal.

Burba është një emër i njohur për organet ligjzbatuese, pasi edhe në vitin 2014 rezulton i arrestuar për llogari të Italisë, me akuzën trafik të lëndëve narkotike. Gjykata e Apelit në Torino, Itali, me vendimin e datës 15.04.2014, e kishte dënuar me 21 vjet burgim, për veprën penale të "trafikimit të drogës".

Njoftimi i plotë:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes nr. 159, të vitit 2024, me të të pandehur Emiljan Burba, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 të K.Penal”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Elsa Ulliri dhe Erjon Çela, me vendimin nr. 59, datë 24.09.2025 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Emiljan Sofo Burba, për kryerjen e veprës penale “Trafikimit të lëndëve narkotike” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 283/a/1, i Kodit Penal dhe në lidhje e nenin 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 12(dymbëdhjetë) vjet burgim.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Emiljan Sofo Burba, për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 3(tre) vjet burgim.

3. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Emiljan Sofo Burba, dënohet me një dënim të vetëm prej 12(dymbëdhjetë) vjet burgim.

4. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Emiljan Sofo Burba, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 8(tetë) vjet burgim.

5. Vuajtja e dënimit të kryhet nga i pandehuri Emiljan Sofo Burba, në një burg të sigurisë së lartë, në respektim të nenit 16 pika 1, gërma “a” të Ligjit Nr. 81/2020

“PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM DHE TË PARABURGOSURVE”.

6. Sendet e sekuestruara të mbeten pjesë e fashikullit gjyqësor dhe të mbeten në ruajtje për efekt të proçedimit penal të ndarë me nr.159 viti 2024.

7. Shpenzimet proçeduriale të parapaguara nga shteti dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit

8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

K.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Këshilli Bashkiak voton pro shkarkimit të Erion Veliajt, si e vlerësoni?