Trafikantët e drogës taktikë të re, kultivimi në shtëpi bari! Nga janari deri në prill 19 laboratorë droge të zbuluara! Kruja, ‘Londra’ e Shqipërisë

23 Prill 2022, 16:51| Përditesimi: 23 Prill 2022, 17:04

  • Share

TIRANË- Kultivuesit e kanabis e kanë zhvendosur vëmendjen tashmë jo në ambientet e jashtme, por ato të mbyllura, në ato që konsiderohen si laboratore apo shtëpi bari. Këtu, policia e ka më të vështirë pikasjen.

Strategjia tashmë ka ndryshuar. Jo vetëm për kultivuesit, por edhe për strukturat e policisë. Kontrollet e kryera prej disa vitesh nga ajri me ndihmën e Guardia di Finanza-s në zonat dhe pikat që konsiderohen si “të nxehta” për kultivim kanabisi, detyruan “kultivuesit” të investojnë në llamba të shtrenjta dhe rritjen e bimëve narkotike ta realizojnë në ambiente të mbyllura.

Laboratorët e drogës apo të ashtuquajturit “shtëpitë e barit” janë një realitet në lulëzim brenda territorit të vendit. Eksperienca e “vyer” e Londrës prej pak vitesh po shfaqet edhe në Shqipëri, dhe jo thjesht në periferi, por edhe në qendër të Tiranës.

Nga fillimi i janarit deri në 23 prill policia ka konstatuar 19 laboratore të kultivimit të kanabisit, në pjesën më të madhe të të cilëve ka arrestuar poseduesit. Kultivimi në ambiente të mbyllura haset më shumë në Shqipërinë e mesme, në qarqet Tiranë dhe Durrës. Më konkretisht, pesë raste u zbuluan në Krujë dhe rrethinat e saj, dy në qytetin e Durrësit dhe tre raste të tjera në Tiranë. Laboratorët e drogës në kryeqytet u gjetën edhe krejt afër qendrës, pranë ish-Parkut të Autobusëve. Më tej, harta e shpërndarjes së laboratorëve të konstatuar shtrihet në Shkodër, Kukës, Lushnjë, Vlorë, Sarandë dhe Lezhë.

Në fenomenin e shtëpive të barit janë përfshirë edhe punonjës të administratës. Policë zonash apo punonjës të OSHEE-së janë kthyer në “mbështetës” të kultivuesve të paligjshëm, të cilët me ose pa vetëdije kanë shpërdoruar detyrën, duke bërë një “sy qorr e një vesh shurdh”, duke lejuar kultivimin në ambiente të dyshuara si laboratorë droge.

Rastet e shumta të shtëpive të barit të zbuluara gjatë këtij viti, kanë zhvendosur fokusin e punës së policisë dhe shtimin e kontrolleve në ato zona ku trafikantët kanë ndryshuar taktikë dhe kanë investuar në këto laboratorë droge, me pajisje të sofistikuara që shkojnë mijëra euro. Përpos këtyre kontrolleve, po vijon edhe monitorimi nga ajri i zonave të thyera malore dhe pranë pyjeve që njihen për kultivimin e bimëve narkotike.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Hanxhari: 24/04/2022 16:15

    Shoku Enver thoshte ne kohen e tij Nafta can bllokaden ne sot themi Shtepite e Barit cajne bllokaden.

    Përgjigju
  • Satêr: 23/04/2022 18:54

    Me siguri pa vetëdije! Nuk ndodh që pulici apo punonjësi i oshe-së të shkel ligjin!.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?