Për ekspertin e Çështjeve Rrugore Arben Luzi, bllokimi i rrugës për çdo lloj arsye është vepër penale. I ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, teksa foli për problemet e trafikut në Tiranë, ai tha problem janë parkimet e gabuara.
‘Zënia e rrugës për çdo lloj arsye është vepër penale. Ne sa dalim nga shtëpia e ndjejmë se që tek hyrja e pallatit nuk lëviz dot. Po ka mjete në disa lagje që nuk kanë lëvizur me kohë të gjatë. Po ti shohësh kemi mjete mbi trotuare, kemi mjete dyshe, në kryqëzime.
Parkime ka por qëndrimet e gabuara dhe parkimet e gabuara në Tiranë janë problem, sepse parkohet aty kanë punën dhe këto fenomene duhet që të luftohen’, tha ai.
Luzi bëri me dije edhe disa nga akset më problematike të cilat kanë trafik më të rënduar dhe sidomos gjatë sezonit të verës.
‘Lezha është problem shumë i madh dhe është e pazgjithshme. U hap rruga Velipojë- Shëngjin, por është larg që të hyet nga Lezha dhe të vish nga Shëngjini prap aty do të kalosh do bëhet fluksi. Është tmerr.
Duhet që të hapet një rrugë që hyrja të bëhet nga një krah dhe dalja nga krahu tjetër, ose një rrugë tjetër në Shëngjin që të bëhet unazë, vetëm ajo e zgjidh atë problem. Kurse në jug më problematike është Lushnje- Kolonjë’, tha ai.
Një apel e pati edhe për drejtuesit e mjeteve, të cilët sipas tij duhet që të ruajnë qetësinë teksa janë në timon.
‘Duhet të kenë qetësi në timon dhe të jenë të kujdesshëm, ngarkesa nga trafiku është e madhe dhe stresi në timon është i lartë duhet që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe kujdes me shpejtësinë’, tha ai.
Komente
