TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për çështjen e për dosjen e 137 kg kokainë e ardhur nga Pireu i Greqisë dhe e kapur në portin e Durrësit. Dosja është dërguar në Gjykatë dhe lidhur me këtë çështje janë marrë të pandehur 3 persona. Më konkretisht, Gentian Malindi (aktualisht në arrati), si organizator i akuzuar për trafikim të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si edhe dy bashkëpunëtorët Altin Myslihaka dhe Adrian Bega. Sipas SPAK, tre të pandehurit janë bashkautorë në trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit kokainë, të sekuestruar në 4 (katër) kontenierë, të cilët vinin nga Ekuadori në drejtim të Shqipërisë, duke kaluar tranzit në portin e Pireut, Greqi, ngjarje e ndodhur në muajt gusht – shtator 2019.
"Gentian Malindi, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, si krijues, organizator dhe drejtues dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal. Altin Myslihaka, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, si pjesëmarrës dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal. Adrian Bega, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, si pjesëmarres dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal", thuhet në njoftimin e SPAK.
SPAK nënvizon se hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet greke të drejtësisë, duke organizuar edhe dorëzimin e kontrolluar të lëndës narkotike. Aktualisht për këtë ngarkesë qëndrojnë në qeli dy persona, Ardian Bega, oficeri i sigurisë në Portin e Durrësit, si dhe punëtorin në anijen e Gentian Malindit, Altin Mislihaka. Ndërsa masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë është dhënë edhe për biznesmenin durrsak Gentian Malindi.
Sipas policisë, dy personat e arrestuar sapo kanë marrë pakot me kokainë nga kontenieri, u larguar me një makinë së bashku me Gentian Malindin drejt Shkëmbit të Kavajës, por sapo kanë zbuluar se në pakot ku mendonin se kishte kokainë ishte futur oriz dhe nga një GPS për të zbuluar destinacion përfundimtar, ata e kanë hedhur çantën në mes të rrugës, duke u larguar prej andej.
Si u kap droga? Më 19 gusht 2019 kontenierët mbërritën nga Ekuadori, tranzit në portin e Pireut në Greqi dhe në këtë moment nisi operacioni ku u zbuluan dhe u sekuestruan 500 kg kokainë nën koordinimin e DEA dhe autoriteteve greke të cilët më pas njoftuan edhe palën shqiptare.
Pasi kontenierët kanë qëndruar për 26 ditë në Pire ku janë bërë disa takime me palën shqiptare greke dhe koordinimin e DEA-s zyrës kundër drogës së SHBA-ve me seli në Athinë është vendosur dorëzimi i kontrolluar e më pas lejimi për udhëtim drejt Shqipërisë në Portin e Durrësit. Pas tre ditëve lundrim në det katër kontenierët të cilët grupi i Gentian Malindit i priste me kokainë në Durrës kanë prekur tokën shqiptare mbrëmjen e 17 shtatorit në orën 21:24 minuta.
Të përfshirët në këtë trafik nuk mbërritën që atë mbrëmje për të marrë pakot e kokainës duke i lënë atje për disa ditë deri sa mesditën e 19 shtatorit të kontraktuarit nga Malindi, Altin Myslikhaka dhe Ardian Bega paraqiten në terminal dhe hapin një nga kontenierët. Sipas grupit hetimor ata kanë hapur vetëm kontenierin me targë 313 duke hequr me një kaçavidë pllakën metalike dhe duke marrë prej atyre disa pako me çantë dore. Pako të cilat në vend të 137 kg kokainë kishin 136 kg oriz e gips si dhe 1 kg kokainë në të cilën kishte të montuar pajisjen e lokalizimit satelitorë GPS duke u zbuluar.
Gentian Malindi, me origjinë nga Skrapari dhe banim në Durrës, djali i avokatit të njohur Ilir Malindi, është pronar i një kompanie për tregtiimin e produkteve të detit, i arrestuar më herët me lëndë narkotike (në vitin 2013). I arrestuari Mislihaka ishte pastrues në anijen e peshkimit të Gentian Malindit, "Eniwej", dhe kishte leje dhe akses për t'u futur në portin e Durrësit.