Kurbin- I kishte shpëtuar aksionit të tre muajve më parë për grupin e goditur të trafikut të armëve nga Kosova në Shqipëri, kapet në arrati 41-vjeçari i shpallur në kërkim.
Policia e Lezhës konfirmoi sot se ka finalizuar operacionin e koduar ‘Puzzle” dhe shërbimet e Seksionit të Mbështetjes Operacionale të Hetimit lokalizuan dhe prangosën Ritvan Keqin, banues në zonën e Fushë-Kuqes, në Kurbin.
“Ai ishte shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “Puzzle”, i zhvilluar rreth 3 muaj më parë, për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri. Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 14 armë zjarri”, bëri me dije policia vendore.
Veprimet e tjera procedurale ndaj keqit do të kryhen nga Policia e Tiranës, e cila ka nisur edhe aksionin në fjalë tre muaj më parë, bashkë me Prokurorinë.
Operacioni për goditjen e trafikut të pistoletave nga Kosova në Shqipëri u krye më 30 maj, gjatë të cilit u arrestuan 10 persona, u shpallën në kërkim 2 të tjerë, mes të cilëve edhe Keqi, teksa u sekuestruan 14 armë e municione.
Sipas hetimeve, armët shiteshin deri në 2500 euro copa dhe Antitrafiqet e Tiranës morën 5 muaj kohë për hetimet.
Grupi e kishte bazën në Burrel, teksa siguronte armën në Kosovë dhe qytete të Shqipërisë dhe më pas i sillnin në Tiranë.
Dy të arrestuarit më 1 Prill, u kapën me 2 armë zjarri të dyshuara të trafikuara nga Kosova. Ndërsa hetimet për këtë grup kanë vijuar duke çuar në arrestime të reja. Operacioni u zhvillua në 2 lokale, në Vorë dhe Laprakë në Tiranë.
Policia bëri të mundur sekuestrimin e 14 armëve zjarri (12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 automatikë), 2077 fara cannabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë.
Komente
