Trafiku në Unazën e Madhe

Pika e zezë

Trafiku i çmendur në rrugën nga aeroporti, dhe një dyshim.....

6 Janar, 19:27| Përditesimi: 6 Janar, 19:53

  • Share

Rruga që lidh aeroportin “Nënë Tereza” me Tiranën është imazhi i parë për vizitorët. Sot, ajo është një zinxhir makinash të bllokuara, duke të dhënë ndjesinë e të qenit rob i një gjarpri çeliku që lëviz ngadalë. Udhëtimi nga Rinasi në Tiranë është kthyer në një makth logjistik, i cili shpjegohet vetëm me mungesën e organizimit rrugor dhe respektit ndaj drejtuesve të makinave dhe turistëve. Kjo rrugë, e cila përfshin pjesë të autostradës Tiranë-Durrës, duhej të përshkohej brenda 30 minutash, por kërkon 90! Gjysmë ore më shumë se fluturimi Romë-Tiranë, thuajse si të udhëtosh nga Tirana në Vlorë.

Duke ndjekur zinxhirin e dritave të kuqe, nyja problematike shfaqet pas mbikalimit të autostradës, ku trafiku nga Rinasi ndërthuret me atë që vjen nga Durrësi. Mjaftojnë një semafor inteligjent ose dy policë të trajnuar për të menaxhuar trafikun. Por aty nuk ka asgjë, madje as një patrullë të policisë rrugore. As autoriteti rrugor, policia apo Ministria e Infrastrukturës nuk tregojnë asnjë interes për ta gjetur një zgjidhje. Trafiku mbetet pa kontroll, drejtuesit dhe turistët duhet të presin në radhë!

Nuk është hera e parë që krijohen këto radhë, por situata është përkeqësuar pas hapjes së një trau te autostrada e re me pagesë pranë aeroportit. Është çudi që një rrugë e re gjeneron më shumë trafik. Dyshimet janë dy: ose rruga ishte e panevojshme, ose rrëmuja e mungesa e menaxhimit ka qëllim të devijojë një pjesë të trafikut drejt rrugës me pagesë në favor të oligarkut që bashkon PS me PD. Të mendosh keq është mëkat, por dyshimet e tilla shpesh nuk janë të pabazuara.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?