Gjykata e Posaçme

Kronikë

Trafiku i drogës Shqipëri-Greqi, Apeli lë në fuqi dënimin e GJKKO për Pashk Sylën, por i pranon gjykimin e shkurtuar! Nga 7 vite burg, i zbret në 4,8

22 Korrik, 15:45| Përditesimi: 22 Korrik, 16:02

  • Share

Tiranë- Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lë në fuqi vendimin e shkallës së parë, por pranon gjykimin e shkurtuar dhe i ul me një të tretën masën e dënimit ndaj të pandehurit Pashk Syla, për trafik ndërkombëtar droge nga Shqipëria në Greqi.

Nga 7 vite burgim që kishte dhënë shkalla e parë, duke aplikuar uljen me një të tretën, u vendos 4 vite dhe 8 muaj burgim. Në shkallën e parë ai ishte dënuar me procedurë të zakonshme, për kryerjen e veprës penale të “prodhim dhe shitje e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.

Syla kishte kërkuar pafajësinë dhe kishte bërë ankimim ndaj vendimit të dhënë nga GJKKO në muajin shkurt të këtij viti, por sot trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi si kryesuese, Florjan Kalaja dhe Tereza Merkaj si anëtare, vendosi të linte në fuqi vendimin, vetëm me një ndryshim. T’i pranonte procedurën e shkurtuar.

“Lënien në fuqi të vendimit nr. 11, datë 03.02.2025 të Gjykatës së Posaçme Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurin P.S., me këtë ndryshim: Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Pashk Syla me 4 (katër) vjet e 8 (tetë) muaj burgim”, thuhet në verdikt.

Syla ishte arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Brezi i Gjelbërt” nga Policia, i nisur në vitin 2019, si pjesë e një grupi që trafikonte sasi droge nga Shqipëria për në Greqi. Më 3 shkurt Gjykata e Posaçme kishte shpallur vendimin e saj.

Po për këtë dosje, GJKKO kishte dënuar me 16 vite burg Aleks (Adil) Nanajn, për trafik droge.

Vendimi i Apelit të GJKKO-së:

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar) dhe Tereza Merkaj (anëtare),  më datë 22.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 41 akti, datë 08.05.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga i pandehuri P.S., ndaj vendimit nr. 11, datë 03.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

1.            Lënien në fuqi të vendimit nr. 11, datë 03.02.2025 të Gjykatës së Posaçme Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurin P.S., me këtë ndryshim:

•             Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Pashk Syla me 4 (katër) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

2.            Shpenzimet gjyqësore të gjykimit në apel, i ngarkohen të pandehurit.

3.            Kundër vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të tij.

U shpall në Tiranë, më datë 22.07.2025”.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?